Transmetuar më 19-09-2022, 22:28

Me një vendim të paprecedentë, një prokuror, emri i të cilit nuk u publikua në njoftim zyrtar, ka nënshkruar një vendim detyrues për mediat që të ndalohen publikimet pas skandalit të sulmeve kibernetike dhe shkarkimit të kryepolicit Gledis Nano. Urdhri erdhi pak orë pasi doli në dritë një email i Gledis Nanos.

Me vendimin e datës 19 shtator 2022, Prokuroria ka vendosur ndalimin e publikimit të çdo të dhëne të botuar nga autorët e sulmit kibernetik. Këtë, e bazon në nenin 103 të Kodit të Procedurës Penale “Ndalimi i publikimit të aktit” që gjithsesi duket si nen evaziv.

Ky është një vendim befasues dhe shumë gazetarë thonë se cenon të drejtat e njerëzve për liri informimi. Vite më parë dolën në dritë miliona dokumente sekrete amerikane e megjithatë nuk pati një urdhër që ndalonte publikimin në të gjitha mediat.

Prokuroria ka vendosur që asnjë e dhënë e botuar nga autorët e sulmit kibernetik të mos publikohet nga mediat audiovizive, të shkruara, online, në rrjete sociale apo në çdo formë të publikimit apo transferimit të të dhënave që postohen nga autorët e këtij sulmi kibernetik mbi sistemin TIMS të Policisë së Shtetit.

Policia e Shtetit thotë se nuk po ndalen me kaq. Prokuroria ka ngarkuar Njësinë C për Hetimin e Krimit Kibernetik në Policinë e Shtetit, Autoritetin e Mediave Audiovizive (AMA) dhe Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), që të grumbullojnë të gjithë informacionin e deritanishëm dhe të ardhshëm të të dhënave objekt sekuestrimi.

E këtu vjen kërcënimi për mediat: Në rast të shkeljes së këtij vendimi nga cilido, Njësia C për Hetimin e Krimit Kibernetik në Policinë e Shtetit do të nisë menjëherë hetimin në kuadër të procedimit penal Nr.5430/2022, për vendosjen përpara përgjegjësisë ligjore të personave përgjegjës. /noa.al