Transmetuar më 20-09-2022, 10:08

SHBA- Raportet mes Turqisë dhe SHBA kanë qenë të tensionuara muajt e fundit. Veçanërisht pasi SHBA furnizoi me armë Greqinë.

Në një intervistë për rrjetin amerikan PBS, presidenti turk Rexhep Taip Erdogan protestoi për qëndrimin e ndryshëm të SHBA-së ndaj Turqisë dhe Greqisë, duke paralajmëruar se do të trokasë në “dyer” të tjera për blerjen e avionëve luftarakë.

Sipas Protothemës, ankesa kundër SHBA-së nga presidenti turk Erdogan, me akuza kundër Greqisë u bë gjatë një interviste për rrjetin PBS, nga Nju Jorku ku është për Asamblenë e Përgjithshme të 77-të të Kombeve të Bashkuara. Ai protestoi se SHBA-të po i shesin armë Greqisë dhe po krijojnë baza të reja ushtarake në tokën greke, në të njëjtën kohë që po imponojnë sanksione ndaj vendit të tij.

“Midis dy vendeve mike, është shumë e gabuar me një qasje politike për të vendosur sanksione ndaj Turqisë për çështjen e F-16. Zoti Biden më premtoi zgjidhjen e çështjes”, tha ai.

Erdogan përsëriti se presidenti Biden i premtoi zgjidhje për çështjen me F-16, në mënyrë që Turqia t’i blejë ato, ndërsa kërcënoi se në rast se "dera" amerikane mbetet e mbyllur, do t’i drejtohet zgjidhjeve të tjera për furnizimin me luftëtarë.

Duke vazhduar me akuzat kundër Greqisë Erdogan tha se nëse nuk arrijnë të marrin atë që duan nga SHBA do ti drejtohen një shteti tjetër.

"Çfarë do të bëjmë nëse nuk arrijmë të marrim rezultatin që duam nga Shtetet e Bashkuara për F-16? Ne do të kujdesemi për veten. Pra, ju do t’i jepni Greqisë të gjitha llojet e mbështetjes për F-16, do të ndërtoni baza atje, por nuk do t’ia jepni atë mbështetje një vendi mik si Turqia në NATO dhe një vendi që jep të gjitha llojet e mbështetjes për NATO-n? Jemi në pesë vendet e para. Në këtë rast, detyra e Turqisë është të kujdeset për veten. Përndryshe, ne nuk kemi problem me Amerikën”, theksoi ai.

Në mars, mosmarrëveshja e vazhdueshme midis Athinës dhe Ankarasë për disa ishuj në Egje u qetësua përsëri për një kohë të shkurtër, por dy muaj më vonë të dy vendet vazhduan manovrat e tyre ushtarake në rajon. Turqia akuzon Greqinë për shkelje të traktateve ndërkombëtare që rregullojnë kufijtë e dy vendeve duke vendosur ushtrinë në ishuj. Greqia, nga ana tjetër, vë në dukje kërcënimet turke që kërkonin praninë ushtarake në kufirin e saj lindor.