Transmetuar më 20-09-2022, 10:17

Paul Pogba jeton nën mbikqyrje policore në Torino, ashtu si dhe nëna e tij Yeo Moriba, për shkak të kërcënimeve dhe tentativave për zhvatje nga ish-shokët e fëmijërisë, që kanë dërguar në burg Mathias, vëllain e mesfushorit të Juventusit dhe katër persona të tjerë, arrestimi i të cilëve u zyrtarizua të dielën.

Gazeta franceze “Le Parisien” bën me dije se Pogba shoqërohet me roje kur kalon në territorin francez. Nëna gëzon të njëjtën mbrojtje. Akuza për vëllain e lojtarit të Juventusit dhe për të tjerët është zhvatja në formë bande të organizuar dhe organizate kriminale, krime për të cilat hetuesit po hetojnë ende.

Historia lindi nga një video në fund të gushtit nga Mathias, i cili paralajmëroi zbulime tronditëse për Paul në rrjetet sociale. Gjatë hetimeve, lojtari i Juventusit zbuloi se duke filluar nga pranvera e kaluar u kishte paguar shantazhuesve të tij 100 mijë euro, kundrejt një kërkese për 13 milionë euro.

"Le Monde" publikoi deponimin e bërë nga mesfushori i Juventusit në polici. “Kisha frikë. Dy djemtë më drejtuan armët”, – ka treguar ai për mbrëmjen e 19 marsit 2022, kur ishte në grumbullim me ekipin kombëtar.

Pasi kaloi ditën me një shok fëmijërie, përpara se të kthehej në hotel, ai u dërgua nga të njohur të tjerë në një apartament në Chanteloup-En-Brie, ku u detyrua të fikte celularin, i cili iu sekuestrua:

"Pastaj, pasi u kërcënova, iu thashë se do të paguaja. Ata bërtitën: Hesht, shiko poshtë. Një nga personat me kapuç foli në veshin e Roushdane. Kur personat me maskë u larguan, Roushdane më tha se duhej t’i paguaja, përndryshe ishim të gjithë në rrezik".

Ndonëse në një moment objektivisht të komplikuar nga pikëpamja personale, Paul Pogba, i cili është jashtë fushave për shkak të një dëmtimi, pas operacionit (të shtyrë) në meniskun e gjurit të tij të djathtë, e ka shprehur afërsinë me shokët e skuadrës me një postim në kanalet e tij sociale: "Nuk dorëzohemi kurrë. Sezoni është ende i gjatë. Ne jemi Juve".