Transmetuar më 20-09-2022, 14:25

Kësaj vere bëri hapin e madh të karrierës, duke u transferuar nga Empoli tek Interi. Megjithatë, në kampin zikaltër nuk e ka gjetur “fushë me lule”, sepse konkurrenca është e lartë. Për pasojë ka luajtur pak nën urdhërat e Simone Inzaghit.

Një preokupim i lënë mënjanë këto ditë nga Kristjan Asllani, i cili është grumbulluar me kombëtaren shqiptare për dy sfidat e fundit kualifikuese të Ligës së Kombeve, më 24 shtator në fushën e Izraelit dhe tri ditë më pas ndaj Islandës, në “Arena Kombëtare”. 20-vjeçari doli sot në konferencë për shtyp dhe iu përgjigj interesimit të gazetarëve nga rezidenca kuqezi në Durrës:

“Ne kemi luajtur kundër Izrealit, është ekip i fortë. Ka manovër të shpejtë loje. Sidoqoftë, mendoj se kemi shanse ta fitojmë këtë ndeshje. Besoj se do të marrim 3 pikët”.

Një pyetje e paevitueshme për djaloshin 20-vjeçar, që nuk po gjen hapësira aktivizimi tek Interi: “Normale, jam 20 vjeç dhe duhet të kem durim. Kam përpara vetes në rol një lojtar të fortë si Brozovic dhe po mësoj shumë prej tij.

Kombëtarja, sinjal për trajnerin e Interit? Kur jam në kombëtare mendoj vetëm për fanellën kuqezi. Jam profesionist dhe kur të më jepet shansi do të bëj mirë edhe tek Interi.

Nuk e di si ka ndryshuar jeta ime me kalimin nga Empoli tek Inter, por presioni është më i madh në Milano. Nuk ka problem, i kam qejf këto gjëra”.