Transmetuar më 20-09-2022, 14:48

Në mungesë të Kumbullës dhe Gjimshitit në mbrojtje, trajneri Edy Reja ka kthyer në kombëtare Arlind Ajetin pas gati 2 vitesh. Një lëvizje e detyruar për dy kualifikueset e fundit të Ligës së Kombeve, ndaj Izraelit (24 shtator, në transfertë) dhe Islandës (27 shtator, në “Arena Kombëtare”.

Megjithatë, për të mbushur këto boshllëqe të konsiderueshme në prapavijën kuqezi është ofruar sot edhe Klaus Gjasula. Një mesfushor shkatërrues, por që këtë sezon po luan si mbrojtës në klubin e tij gjerman. Në konferencën për shtyp nga grumbullimi i kombëtares, futbollisti në fjalë nënvizoi:

Ndeshja ndaj Izraelit – “Do të japim maksimumin që të marrim tri pikët në Izrael. Ne kemi disa mungesa, edhe ata kanë problemet e tyre. Shumë djem të rinj kanë ardhur, por kemi kualitetet për të arritur te suksesi. Duhet të shohim ekipin tone, jo problemet e kundërshtarit. Nëse shohim veten tonë, jam i sigurt që do t’ia dalim”.

Rëndësia e dy sfidave – “Ne e dimë që është moment shumë i rëndësishëm në këto kualifikuese të Ligës së Kombeve. Sidoqoftë, duhet ta kemi vëmendjen totale tek Izraeli, më pas të provojmë të fitojmë ndaj Islandës”.

Roli i ri – “Te Darmstad kishim shumë mbrojtës të dëmtuar dhe trajneri më ka provuar në rolin e qendërmbrojtësit. Që nga ai moment trajneri nuk më ka lëvizur nga ai pozicion. Për mua nuk ka rëndësi, mund të luaj edhe në këtë rol në kombëtare, nëse trajneri ka nevojë”.