Transmetuar më 20-09-2022, 15:16

Një shishe me ujë të ngrirë i rrezikoi shikimin futbollistit të Partizanit, Tedi Cara. Ajo u hodh nga një tifoz i Kukësit, teksa futbollisti i kuq shkoi të festonte me përkrahësit e vet golin nga goditja e lirë, të cilët kishin udhëtuar drejt kësaj transferte verilindore.

Sendi i fortë e goditi në mollëzën e syrit të majtë Carën, duke i shkaktuar gjakosje dhe të çara. Aty mbaroi ndeshja për të dhe filloi kalvari i qepjeve e mjekimit në spital, deri paraditen e sotme. Një incident i rëndë në ndeshjen e djeshme të Superiores mes Kukësit dhe Partizanit, e cila u mbyll me fitoren 2-1 të “demave të kuq”, që riktheu makthin e dhunës në futbollin shqiptar.

Klubi mikpritës kërkoi falje publike dhe i kërkoi policisë të idntifikojë autorin e ta vërë para përgjegjësisë, sipas ligjit. Uniformat blu kanë evidentuar agresorin përmes pamjeve filmike të stadiumit, duke dalë me njoftimin zyrtar si vijon:

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kukës referuan materialet në Prokurori dhe shpallën në kërkim, për veprën penale “Goditja e sportistit, trajnerit, arbitrit dhe ndërmjetësit sportiv", shtetasin A. E., 47 vjeç, banues në Kukës, pasi gjatë ndeshjes së futbollit Kukësi-Partizani, të zhvilluar më datë 19.09.2022, në stadiumin “Kukës Arena”, ka hedhur një send të fortë (shishe me ujë të ngrirë) në fushë, e cila ka goditur njërin nga futbollistët, shtetasin T. C. Vijon puna për kapjen e tij”.

Ja reagimi i FK Kukësit, pas incidentit të rëndë: “FK Kukësi dënon ashpër ngjarjen e ndodhur sot në "Kukës Arena", aty ku tifozët tonë goditën sulmuesin e Partizanit, Tedi Cara i cili pësoi dëmtim të konsiderueshëm në kokë. Klubi i Kukësit distancohet nga kjo ngjarje e turpshme e tifozerisë dhe i kërkon falje sulmuesit Cara dhe klubit të Partizanit e njëkohësisht i uron shërim të shpejtë lojtarit.

Futbolli është një sport për të bashkuar dhe në një qytet si Kukësi që karakteristikën kryesore ka mikëpritjen, sjellje të tilla nuk kanë hije. Klubi i Kukësit i bën thirrje Policisë së Shtetit dhe autoriteteve kompetente duke iu ardhur në ndihmë me pamjet filmike të stadiumit që të japin dënimin sipas ligjeve për autorin e këtij incidenti”.