Transmetuar më 20-09-2022, 19:29

TIRANË- Avokati i Popullit ka reaguar në lidhje me ngjarjen e ndodhur te ‘Myslym Shyri’.

Institucioni ka kërkuar që Policia e Shtetit të vërë para përgjegjësisë efektivët që kanë dhunuar të rinjtë.

Reagimi i AP-së ka ardhur pas përplasjes së ndodhur në këtë zonë të Tiranës, ngjarje për të cilën ka dy pretendime. Sipas Avokatit të Popullit, ushtrimi i dhunës apo arrestimet e paligjshme janë krejtësisht të papranueshme në kuadrin e standardeve demokratike dhe të shtetit ligjor mbi të cilat synohet të mbështeten institucionet tona.

Reagimi i plotë i Avokatit të Popullit:

Institucioni i Avokatit të Popullit është vënë në dijeni nga raportime të ndryshme në lidhje me rastin e 7 të rinjve të shoqëruar nga Policia e kryeqytetit mbrëmjen e djeshme si dhe disa pretendimeve për veprime arbitrare nga ana e punonjësve të Policisë ndaj tyre, dhe për këtë arsye menjëherë ka ngritur dy grupe inspektimi për të verifikuar situatën në vend. Sipas komunikatës së Policisë por edhe nga verifikimet e kryera në Komisariatin e Policisë nr.2 në Tiranë nga ana e grupit të inspektimit të Avokatit të Popullit është mësuar se 7 shtetas të moshave 17-28 vjeç, janë shoqëruar e më pas arrestuar mesnatën e mbrëmshme pranë ambienteve të një qendre lojërash elektronike, pasi sikurse raporton Policia, ndaj tyre kishte ankesa nga qytetarët për prishjen e qetësisë publike.

Ekipi i Avokatit të Popullit ka marrë kontakt me personat e shoqëruar si dhe me zyrtarët policorë përgjegjës për kryerjen e procedurave në Komisariatin nr.2. Sipas verifikimeve paraprake, 3 prej shtetasve kanë pasur pretendime se ndaj tyre është ushtruar dhunë nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit. Një shtetas ndërkohë ka marrë edhe ndihmë mjekësore si pasojë e lëndimeve të shkaktuara nga ndërhyrja e efektivëve të Policisë.

Avokati i Popullit dënon këtu e në çdo rast veprimet e dhunshme dhe arbitrare nga ana e organeve ligjzbatuese dhe kërkon vendosjen në punë të mekanizmave të brendshëm të kontrollit të Policisë për gjetjen dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve. Ushtrimi i dhunës apo arrestimet e paligjshme janë krejtësisht të papranueshme në kuadrin e standardeve demokratike dhe të shtetit ligjor mbi të cilat synohet të mbështeten institucionet tona. Avokati i Popullit do të vazhdojë hetimin administrativ mbi rastin dhe do të dalë me konkluzione e rekomandime të cilat do të paraqiten pranë institucioneve përkatëse.

Çfarë ndodhi një natë më parë?

Zhurmat brenda një lokali kanë shkaktuar përplasje mes një grupi të rinjsh dhe Policisë së Shtetit. Pas marrjes së informacionit, efektivët e komisariatit nr.2 kanë shkuar në zone, por të rinjtë kanë filluar t’i kundërshtojnë dhe kanë dhunuar dy prej tyre. Prindërit e të rinjve të arrestuar janë ankuar se efektivët u kishin dhunuar fëmijët, ndërsa Policia e Shtetit ka dalë në një deklaratë, ku bën me dije se dy efektivë janë dhunuar prej të rinjve. 6 prej tyre janë prangosur, ndërsa një 17-vjeçar u procedua penalisht në gjendje të lirë. Deri më tani, Policia i ka identifikuar të rinjtë vetëm me iniciale, ndërkohë që mosha e tyre varion nga 19-28 vjeç.