Transmetuar më 21-09-2022, 11:49

Leo Messi u largua nga Barcelona pasi mbaroi kontratën e tij në verën e vitit 2021 dhe i dha fund karrierës së suksesshme si lojtar blaugrana. Megjithatë, historia mund të kishte qenë ndryshe nëse do të kishte nënshkruar rinovimin e kontratës në vitin 2020.

Këtë të mërkurë, gazeta “El Mundo” publikoi përmbajtjen e një sërë e-mailesh mes Jorge Messit; babai dhe përfaqësuesi i yllit argjentinas, avokatëve të tij dhe ish-presidenti Josep Maria Bartomeu. Shtatë herë fituesi i “Topit të Artë” kishte bërë disa kërkesa për zgjatjen e kontratës.

Ndikimi i pandemisë preku ekonominë e Barçës, por nga klubi e kishin të qartë se duhej të adresonin rinovimin e kontratës së argjentinasit dhe më 4 maj 2020, ish-presidenti Bartomeu i dërgoi propozimin e parë babait të Leos.

Aty specifikohej "dakordimi për rinovimin një vit më shumë, me opsion se secili nga sezonet në vijim do të rinovohet automatikisht nëse Leo nuk thotë ndryshe përpara 30 prillit". Një marrëveshje që Bartomeu theksoi se do të ishte perfekte për të gjithë. Jorge Messi kërkoi gjithashtu një zyrë në “Camp Nou” dhe fluturim privat për të gjithë familjen drejt Argjentinës gjatë festave të Krishtlindjeve, kushte që Barça i pranoi.

Një javë më vonë, më 11 qershor, avokati Jorge Pecourt i dërgoi një mesazh Bartomeut dhe bashkëpunëtorëve të tij me 11 kushtet që Leo Messi kishte për të rinovuar me Barçën. Ky e-mail kishte edhe një kopje për Jorge Messin dhe Alfonso Nebot, kreun e “zyrës së familjes”.

Pasi u bënë të njohura kërkesat e Messit, Barça u përgjigj dhe ra dakord që ulja e pagës së “10” të ishte 30% për shkak të rënies së të ardhurave (prej pandemisë), shumë që do të rikuperohej në sezonet e ardhshme. “Përpjekja nga ana e familjes është shumë e madhe, sepse sezonin e ardhshëm shpërblimi i tyre ulet ndjeshëm, por si Lionel ashtu edhe Jorge pranojnë për të mirën e klubit”, – shkroi avokati Jorge Pecourt në një e-mail tjetër.

Megjithatë, pas disa ditësh, presidenti Bartomeu refuzoi ta ulte klauzolën e përfundimit të kontratës së Messit për të mos dhënë imazhin se lojtari e kishte hapur derën e klubit. Gjithashtu refuzoi të përfshinte pagesën prej 10 milionë eurosh si bonus për rinovimin. Përveç kësaj, gjithmonë sipas informacioneve të sipërpërmendura, nga Barça kanë frenuar çdo lloj rritje të pagës së Leos derisa të ardhurat e klubit të kthehen në mbi 1.1 miliardë euro.

Familjes “Messi” nuk i pëlqeu ky propozim i fundit dhe e refuzoi atë, duke shkaktuar përfundimin e negociatave. Në gusht u dërgua “burofaksi” i famshëm i Messit, që kërkonte të lirohej nga Barça. Argjentinasi përfundoi duke qëndruar edhe një sezon, por verën e ardhshme shkoi te PSG, kur u duk se rinovimi i tij ishte dakorduar me ndryshimin e presidencës dhe ardhjen e Laportës.