Transmetuar më 21-09-2022, 13:48

Japoni- Një burrë i vuri flakën vetes mëngjesin e sotëm në Tokio, pranë zyrës së kryeministrit japonez Fumio Kishida dhe u dërgua në spital pa ndjenja, raportojnë mediat japoneze.

Sipas informacioneve të tyre, burri e kreu këtë akt të rëndë në shenjë proteste ndaj funeralit shtetëror të 27 shtatorit në Tokio të ish-kryeministrit të vrarë Shinzo Abe, një çështje që ndan Japoninë.

Një punonjës policie që ka tentuar të shuajë flakët ka pësuar djegie. Kur u kontaktuan nga Agence France-Presse, policia dhe zyra e kryeministrit nuk pranuan të komentojnë.

Sipas rrjetit televiziv Asahi, burri i vuri flakën vetes pasi u tha oficerëve të policisë se kundërshtonte funeralin shtetëror të Shinzo Abe. Sipas agjencisë së lajmeve Kyodo, një letër proteste kundër ceremonisë së shtrenjtë u gjet pak larg.