Transmetuar më 21-09-2022, 14:42

Kësaj radhe mund të jetë shumë i dobishëm në mbrojtjen e kombëtares, sepse mungojnë dy shtylla si Kumbulla dhe Gjimshiti. Me rikthimin pas dy vitesh të Arlind Ajetit, ai mund të jetë pjesë e strategjisë anti-Izrael të trajnerit Edy Reja. E kemi fjalën për Frederic Veseli, që foli në konferencë për shtyp në prag të transfertës delikate të 24 shtatorit me Izraelin:

“Kemi mungesa të rëndësishme, por nuk ndodh për herë të parë. Ne nuk i japim shumë rëndësi individualitetit, por grupit, jemi të përqendruar për të bërë një ndeshje të mirë. Na duhen 3 pikë, synojmë fitoren. Unë ndihem më mirë në qendër të mbrojtjes, kam disa vite në këtë rol. Në krah kam luajtur kur ishte nevoja, si në klub dhe në kombëtare.

Kalimi te Benevento? Më kërkoi me ngulm, është ekip me ambicie për Serie A. Kam fituar 2 kampionate në Serie B me Empolin dhe Salernitana. Te Salernitana nuk pata sezon të mirë për shkak lëndimesh dhe problemeve me trajnerin. M’u dha mundësia nga Benevento dhe e pranova si ofertë.

Kundër Izraelit në shtëpi bëmë një ndeshje të mirë difensive, por u ndëshkuam nga gabimet individuale. Nuk është se Izraeli bëri diçka më shumë se ne. Humbja erdhi nga ana jonë. Çdo lojtar duhet të marrë përgjegjësi dhe të japë maksimumin në funksion të grupit.

Gjenerat e re e kombëtares ka shumë ambicie, shihet se çdo lojtar rritet në klube të mëdha që tani. Kemi cilësi në kombëtare, shoh ekuilibër mes eksperiencës dhe talentit. Çdo lojtar që vjen këtu, i ri apo i vjetër, nëse e meriton do të luajë para të tjerëve”.