Transmetuar më 21-09-2022, 14:58

Duke folur nga grumbullimi me kombëtaren e Polonisë, siç raporton "Marca", Robert Lewandowski ka bërë një vlerësim fillestar për aventurën e tij të re te Barcelona, duke nënvizuar edhe disa pasazhe në lidhje me mundësinë që një ditë të fitojë "Topin e Artë".

BARCELONA – Fjalët e qendërsulmuesit polak fillimisht u fokusuan te dashuria e marrë nga tifozët e rinj blaugrana: "Nuk prisja kore për mua menjëherë në ‘Camp Nou’. Ndihem sikur kam qenë te Barcelona për një kohë të gjatë, kjo më bën shumë të lumtur.

Transferimi te Barcelona më ka dhënë më shumë vetëdije. E di që jam kontraktuar për të shënuar gola dhe për të qenë vendimtar".

TOPI I ARTË – "Unë e di që Barcelona ka pasur numrin më të madh të lojtarëve që e kanë fituar ‘Topin e Artë’, kështu që mendoj se rruga për ta fituar atë këtu është më e shkurtër se te Bayern Munich".

Duke folur për ish-klubin e tij gjerman, ndaj të cilit luajti së fundi në Ligën e Kampionëve, polaku shtoi: "Për mendimin tim e meritonim të fitonim, ose të paktën të barazonim. Kjo ndeshje konfirmoi se ne mund të imponojmë lojën tonë kundër kujtdo".