Transmetuar më 22-09-2022, 08:00

Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s ka zhvilluar ditën e sotme mbledhjen e radhës në Hvar të Kroacisë, ku është aprovuar procedura për shortin e Kampionatit Europian 2024, i cili do të hidhet në mesditën e 9 tetorit në Frankfurt të Gjermanisë.

Në këtë mbledhje, ku ishte i pranishëm edhe Presidenti i FSHF, Armand Duka, si anëtar i Komitetit Ekzekutiv, u miratua gjithashtu edhe vendi pritës për Europianin e Futsallës U-19, si dhe u ndoq Festivali i Futbollit në Shkolla, një nismë shumë e rëndësishme kjo e UEFA-s për përhapjen e vlerave jetësore si “fair-play”, respekti, puna në grup dhe lidershipi nëpërmjet luajtjes së futbollit në shkolla.

Në lidhje me shortin për Europianin 2024, procedurat e tij këtë herë do të jenë si vijon: Gjermania, si vendi organizator i EURO 2024 kualifikohet automatikisht për turneun final dhe për këtë arsye nuk do të marrë pjesë në fazën kualifikuese.

Të gjitha klubet ruse janë aktualisht të pezulluara nëpërmjet vendimit të Komitetit Ekzekutiv të datës 28 shkurt 2022, vendim ky që u konfirmua dhe nga CAS-i Lozanës më 15 korrik 2022. Për këtë arsye, Rusia nuk do të përfshihet në turneun kualifikues 2022-2024.

53 kombëtaret pjesëmarrëse në shortin kualifikues do të ndahen në 10 grupe, me shtatë grupe që do të kenë nga 5 skuadra dhe tri grupe me nga 6 skuadra. 10 fituesit e grupeve dhe dhjetë vëndet e dyta të secilit grup do të kualifikohen për turneun final. Tri vendet e mbetura do të vendosen nga faza “play-off”, që do të luhet në mars 2024.

53 skuadrat pjesëmarrëse në short do të listohen sipas renditjes së “UEFA Nations League” 2022-2023 dhe do të ndahen në 7 vazo.