Transmetuar më 21-09-2022, 20:02

SHBA- President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ka reaguar pas deklaratave të presidentit rus Vladimir Putin pasi ai urdhëroi mobilizim të pjesshëm në Rusi dhe kërcënoi me sulme bërthamore Perëndimin.

Biden gjatë fjalës së tij në Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, është shprehur se lufta në Ukrainë u zgjodh nga një njeri, duke shigjetuar Putinin.

Biden shtoi se Rusia ka tentuar të fshijë një shtet sovran nga harta.

“Kjo luftë ka të bëjë me shuarjen e së drejtës së Ukrainës për të ekzistuar si shtet, qartë dhe thjeshtë”, u shpreh Biden, raporton Skynews.

Kujtojmë se ditën e sotme Putin kërkoi mobilizim të pjesshëm në Rusi, çka do të thotë se rreth 300 mijë persona duhet të përgatiten për të luftuar në Ukrainë.

Ai gjithashtu kërcënoi Perëndimin duke u shprehur se në rast se këta të fundit do të tentojnë përdorimin e armëve bërthamore ndaj Rusisë, kjo gjë sipas tij do u kthehet mbrapsht.