Transmetuar më 22-09-2022, 10:10

Sot feston 38-vjetorin e lindjes. Kujtimi i trishtuar i karrierës dhe jetës nuk del nga koka e Thiago Silvës, gjithsesi. Edhe kur konteksti është kaq i lumtur dhe në dekadën e fundit ka pasur kaq suksese, sa gjërat e këqija duhet të ishin fshirë shumë kohë më parë.

Por Thiago nuk mund ta fshijë atë kujtim të trishtuar. Është gjithmonë aty, si një vello e errët, për t’i kujtuar atij se para diellit kishte një stuhi dhe stuhia kishte kërcënuar të ndryshonte gjithçka. Përgjithmonë.

Hera e fundit që Thiago Silva u ndie i detyruar ta largonte nga mendja atë kujtim të trishtuar ishte në fund të majit 2021. Qendërmbrojtësi i Chelsea sapo kishte fituar Ligën e Kampionëve. Jo në fushë, për shkak të atij dëmtimi që e nxori shumë shpejt jashtë finales, por si protagonist.

Triumfoi përballë Paris Saint-Germain që nuk besonte tek ai, klub i cili e konsideroi atë shumë të vjetër për të merituar rinovimin e kontratës. Megjithatë, nuk është PSG-ja, targeti ndaj së cilit braziliani ka shpenzuar fjalë hakmarrjeje. Sepse atë përvojë 8-vjeçare në Francë e vendosi në raftin e kujtimeve të lumtura. Nuk është Parisi, vendi ku i la të rrjedhin lotët e vërtetë të hidhur të jetës së tij.

Thiago Silva ishte vetëm 21 vjeç kur, si një lojtar i ri premtues te Dinamo e Moskës, zbuloi se ishte sëmurë me tuberkuloz. Ishte viti 2005 dhe karriera e mbrojtësit brazilian për pak mori fund, pasi sëmundja e papritur e detyroi të rrinte larg futbollit një vit. Tuberkulozi ishte në një gjendje kaq të përparuar tek ai, saqë mjekët madje menduan t’i hiqnin një pjesë të mushkërive për të siguruar mbijetesën e tij.

Sidoqoftë, nëna e tij, Angela, dhe gruaja, Isabelle, e bindën mbrojtësin që të refuzonte, pasi një operacion i tillë do të thoshte lamtumirë për karrierën si futbollsit. Thiago Silva, para se të transportohej në spital, kishte pësuar disa simptoma, të tilla si ethe të larta, kollë të fortë dhe djersitje. Padyshim që nuk ishte një rast gripi, ndaj u dërgua me urgjencë në klinikë, ku mjekët zhvilluan një seri testesh për të përcaktuar se çfarë nuk shkonte.

Stafi mjekësor i Dinamos së Moskës ishte gjithashtu i befasuar që braziliani i ri lodhej kaq shpejt. Atje u shtangën kur mësuan se braziliani vuante nga tuberkulozi, madje ishte prekur nga sëmundja gjashtë muaj para zbulimit të saj.

Më thjeshtë, mjekët i thanë se po të mos diagnostikohej edhe për dy javë, me siguri do të kishte vdekur. Një mrekulli e vërtetë për brazilianin, i cili ka bërë tashmë karrierë mbresëlënëse. Madje, edhe në moshën 38-vjeçare mbetet një nga lojtarët më të mirë në rolin e tij.