Transmetuar më 22-09-2022, 14:40

Mesfusha është reparti me lojtarët më energjikë, që ka kombëtarja jonë. Përveç Abrashit dhe Gjasulës, aty ka fituar terren edhe Qazim Laçi. Futbollisti dibran, pjesë e Ajaccio në Francë, shpreson të ketë hapësirë me fanellën kuqezi në dy sfidat e fundit të Ligës së Kombeve.

Më 24 dhe 27 shtator, respektivisht, kuqezinjtë do të sfidojnë Izraelin në transfertë dhe Islanën në “Arena Kombëtare”. Gjërat janë të qarta: duhen 6 pikët për ta mbyllur edicionin në krye të grupit. Në konferencë për shtyp, Laçi nënvizoi mes të tjerash para gazetarëve:

“Mund t’i jap fuqi mesfushës duke rikuperuar shumë topa, që ekipi të jetë më tepër agresiv. Ky futboll i pëlqen trajnerit. Duhet të bëjmë presing sa më sipër ndaj Izraelit, besoj se do të shkojë mirë. Ndihem gati për të qenë titullar. Çdo lojtar do të mundohet të jetë gati për fanellën kuqezi, prandaj i ka thirrur trajneri.

Të gjithë po përgatitemi mirë, do të mundohemi të fitojmë. Presioni është vetëm për 3 pikët, diçka normale. Nuk besoj se ekipi e vuan presionin. Jemi gati të ikim në Izrael për këtë ndeshje të rëndësishme. Të gjithë janë përgatitur 100% për të marrë 3 pikët.

Pastaj do të kthehemi në Shqipëri e të luajmë ndaj Islandës për të marrë vendin e parë në grup. Mungesat për këto dy ndeshje janë të rëndësishme (Kumbulla, Gjimshiti, Manaj), por trajneri është munduar të provojë disa skema në stërvitje. Do të bëjmë më të mirën me lojtarët që kemi në dispozicion.

Çdo lojtar që është këtu do të japë 100% për ta fituar këtë ndeshje shumë të fortë. Jam i kënaqur në klubin tim. Ka disa vite që po punojmë mirë për t’u ngjitur në elite. Kam 6 vite në ekip dhe ia arrita qëllimit të luaj në Ligue 1. Ka konkurencë në ekip dhe mua më pëlqen”.