Transmetuar më 23-09-2022, 08:00

Italia dëshiron të shmangë rënien nga Liga A e Ligës së Kombeve 2022-2023. Për të shmangur këtë, kundër Anglisë, axurrët nuk duhet të humbasin. Po kështu, pas ndeshjes së të hënës ndaj Hungarisë, nuk duhet të jenë në vendin e fundit në grupin 3. Në prag të ndeshjes kundër anglezëve, në një konferencë për shtyp, përveç trajnerit Mancini doli edhe kapiteni Leonardo Bonucci.

Veterani i Juventusit foli në këtë mënyrë për ndeshjen e “San Siros” kundër “Tre Luanëve”: "Nesër do të jetë një ndeshje shumë e rëndësishme, do të na bëjë të kuptojmë se ku jemi me procesin rinovues të kombëtares.

Pas dështimit për t’u kualifikuar në Botërorin e Katarit dhe ndeshjet në qershor me mungesa, nesër do të kuptojmë se ku duhet të përmirësohemi akoma. Nuk ka ndeshje më të mirë se kjo për ta testuar veten plotësisht. Duhet të kemi kujdes nga individualiteti i anglezëve, sidomos në sulm kanë lojtarë të spikatur, që mund ta vendosin ndeshjen në çdo moment”.

Mbrojtësi përfundoi në qendër të vëmendjes së tifozëve të Juventusit për fillimin zhgënjyes të sezonit. Atyre që e akuzojnë për mungesë lidershipi, ai u përgjigjet kështu: “Po të kishte ndodhur vetëm herët e fundit do të isha i befasuar… Por kjo është e gjithë karriera ime, nuk më trembën momentet më të këqija të jetës. Asgjë nuk më tremb më”.

Për mundësinë që në “San Siro” të ketë vërshëllima të tifozëve, siç ndodhi me Gigio Donnarumma me rastin e ndeshjes së vitit të kaluar kundër Spanjës, ai tha: “Kush fishkëllen një lojtar të kombëtares italiane, për mua është një person pa tru.

Lojtari përfaqëson të gjithë kombin. Nuk e kuptoj pse Donnarumma duhet të shahet, ai thjesht bëri një zgjedhje duke ikur nga Milani te PSG. Ai nuk ishte i pari që u fishkëllye dhe nuk do të jetë i fundit. Duhet të rritemi kulturalisht, nesër presim një ‘San Siro’ të mbushur plot”.