Transmetuar më 22-09-2022, 18:37

SHKODËR- Policia Shkodër thotë se ka identifikuar autorin e vrasjes së 19-vjeçarit Erjon Xhenje, i cili u ekzekutua brenda një lokali mbrëmjen e së dielës në Shkodër. Ai është një person me precedentë të mëparshëm kriminale dhe i shpallur në kërkim si i përfshirë në një ngjarje kriminale, të ndodhur pak kohë më parë në qytetin e Shkodrës.

Në njoftimin e saj Policia Shkodër informon se ‘nga strukturat e Drejtorisë Vendore nga veprimet hetimore për zbardhjen e ngjarjes të ndodhur më datë 18.09.2022, në bulevardin “Bujar Bishanaku”, ku mbeti i vrarë me armë zjarri një 19-vjeçar, është identifikuar dhe shpallur në kërkim shtetasi B. Ç., 24 vjeç, banues në Shkodër, i dyshuar si autori kryesor i kësaj ngjarjeje.

Nga provat e grumbulluara dyshohet se B. Ç., më datë 18.09.2022, rreth orës 20:10, në një lokal në bulevardin “Bujar Bishanaku” Shkodër, ka vrarë me armë zjarri shtetasin E. Xh., 19 vjeç, banues në lagjen “Guerile”, Shkodër.

Gjatë kontrollit të territorit nga shërbimet e shumta të Policisë, në rrugën “Saçej”, në lagjen “Guerile”, është gjetur një motomjet i djegur plotësisht, si dhe 1 armë zjarri pistoletë, që dyshohet se janë përdorur në këtë ngjarje.

Po punohet për kapjen e shtetasit B. Ç., identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.

Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprat penale "Vrasja me paramendim” e kryer në bashkëpunim dhe "Mbajtja pa leje e armëve dhe e municionit”.