Transmetuar më 23-09-2022, 05:55

Në foto: Një pjesëtar i shërbimit të Republikës së vetëshpallur Popullore të Donetskut qëndron roje në një qendër votimi përpara referendumit të planifikuar për bashkimin e republikës popullore të Donjeckut me Rusinë, në Donetsk, Ukrainë, 22 shtator 2022. REUTERS

KIEV, 23 shtator 2022 – Katër zona të Ukrainës të kontrolluara nga Rusia dhe forcat pro-Moskës po përgatiten të mbajnë referendume të premten për bashkimin me Rusinë, votime të dënuara gjerësisht nga Perëndimi si të paligjshme dhe si pararendëse të aneksimit të paligjshëm.

Udhëheqësit e instaluar nga Rusia njoftuan të martën planet për votimet, një sfidë për Perëndimin që mund të përshkallëzojë ashpër luftën. Rezultatet shihen si një përfundim i paramenduar në favor të aneksimit.

Ukraina dhe aleatët e saj e kanë bërë të qartë se nuk do t’i njohin rezultatet.

Votimi në provincat Luhansk, Donetsk, Kherson dhe Zaporizhzhia, që përfaqësojnë rreth 15% të territorit ukrainas, do të zhvillohen nga e premtja deri të martën.

Ukraina nisi këtë muaj një kundërofensivë duke rimarrë pjesë të mëdha territori, shtatë muaj pasi Rusia pushtoi dhe nisi një luftë që ka vrarë mijëra, zhvendosur miliona dhe dëmtuar ekonominë globale.

Referendumet ishin diskutuar për muaj të tërë nga autoritetet pro-Moskës, por fitoret e fundit të Ukrainës shkaktuan një nxitim nga zyrtarët për t’i caktuar ato. Rusia argumenton se është një mundësi për njerëzit në rajon që të shprehin pikëpamjet e tyre.

"Që nga fillimi i operacionit … ne thamë se popujt e territoreve përkatëse duhet të vendosin për fatin e tyre dhe e gjithë situata aktuale konfirmon se ata duan të jenë zotër të fatit të tyre," tha këtë javë ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov.

Ukraina thotë se Rusia synon t’i përcaktojë rezultatet e referendumit si një shenjë të mbështetjes popullore dhe më pas t’i përdorë ato si një pretekst për aneksimin, ngjashëm me marrjen e Krimesë në vitin 2014, të cilën komuniteti ndërkombëtar nuk e ka njohur.

JUSTIFIKIMI I VETËMBROJTJES Duke përfshirë katër zonat në Rusi, Moska mund të justifikojë përshkallëzimin ushtarak si të nevojshëm për të mbrojtur territorin e saj. Putin të mërkurën tha se Rusia "do të përdorë të gjitha mjetet në dispozicionin tonë" për të mbrojtur veten, një referencë e dukshme për armët bërthamore. "Ky nuk është një bllof," tha ai.

Rezultatet e referendumit në favor të Rusisë konsiderohen të pashmangshme. Votimi në Krime në 2014, i kritikuar ndërkombëtarisht si i manipuluar, pati një rezultat zyrtar prej 97% në favor të aneksimit formal.

“Nëse e gjithë kjo shpallet territor i Rusisë, ata mund të deklarojnë se ky është një sulm i drejtpërdrejtë ndaj Rusisë, në mënyrë që të luftojnë pa asnjë rezervë”, tha guvernatori rajonal i Luhansk, Serhiy Gaidai për TV ukrainas.

OSBE, e cila monitoron zgjedhjet, tha se rezultatet nuk do të kishin fuqi ligjore sepse ato nuk përputhen me ligjin e Ukrainës ose standardet ndërkombëtare dhe zonat nuk janë të sigurta. /noa.al