Transmetuar më 23-09-2022, 16:50

Ministri i Jashtëm kinez Wang Yi u takua të enjten në Nju-Jork me përfaqësuesin e lartë të Bashkimit Europian për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë Josep Borrell.

Wang Yi u shpreh se, në situatën e trazuar ndërkombëtare, si dy forca kryesore në botë, Kina dhe BE-ja duhet të mbajnë përgjegjësitë e veta dhe të ruajnë prirjen e mirë të dialogut e të shkëmbimeve.

Të dy palët duhet t’i përmbahen bashkëpunimit me përfitime të përbashkëta e multilateralizmit dhe të mos e konsiderojnë njëra-tjetrën si kundërshtare, duke mos e dobësuar bashkëpunimin për shkak të konkurrencës.

Josep Borrell theksoi nga ana e tij se bota e sotme po përjeton një mungesë të rendit dhe stabiliteti europian po përballon sfida.

BE-ja i kushton rëndësi të madhe statusit dhe rolit të Kinës si një fuqi e madhe, e cila është e pazëvendësueshme në përballimin e sfidave globale dhe në ruajtjen e rendit të pasluftës.

BE-ja dëshiron të vazhdojë kontaktet strategjike me Kinën, duke shfrytëzuar plotësisht rolin e mekanizmave të dialogut të nivelit të lartë në të gjitha fushat.

Brukseli është shumë i shqetësuar për përhapjen e mundshme bërthamore dhe shpreson që Pekini do të ushtrojë ndikimin e vet të rëndësishëm për zgjidhjen e këtij problemi.

Duke folur për situatën në Ukrainë, kreu i diplomacisë kineze u shpreh se tani detyra e parë është armëpushimi. Kina nuk do të rrijë duarkryq dhe as nuk do t’i hedhë benzinë zjarrit, tha ai, por do të vazhdojë të luajë rolin e duhur në mënyrën e vet.

Pala kineze i përkrah BE-në dhe vendet kryesore europiane të vazhdojnë ndërmjetësimin, duke bërë të gjitha përpjekjet për të arritur paqen.

Ministri i Jashtëm kinez Wang Yi u takua gjithashtu në Nju-Jork me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg.

Wang Yi u shpreh se, si një anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Kina mban qëndrim të hapur për zhvillimin e dialogut e të shkëmbimeve me NATO-n dhe dëshiron të promovojë së bashku zhvillimin e qëndrueshëm të marrëdhënieve dypalëshe.

Jens Stoltenberg-u u shpreh nga ana e tij se Kina është një fuqi e rëndësishme globale. NATO-ja nuk e konsideron Kinën si kundërshtare dhe i kushton rëndësi ruajtjes e forcimit të kontakteve me palën kineze. NATO-ja shpreson të diskutojë me Kinën për bashkëpunimin në fushën e kontrollit të armëve, të ndryshimit të klimës etj., për të përballuar më mirë sfidat globale.

Vendet anëtare të NATO-s i përmbahen politikës së "një Kine" dhe nuk kanë ndryshuar qëndrimin e tyre mbi problemin e Tajvanit. NATO-ja pret që Kina të luajë një rol të rëndësishëm në përfundimin e luftës në Europë, tha ai.

Wang Yi sqaroi qëndrimin e përhershëm të Kinës lidhur me problemin e Ukrainës dhe rolin konstruktiv që ka luajtur në këtë drejtim. Ai u shpreh se duhet të diskutohet për krijimin e një kornize të barabartë, të efektshme dhe të vazhdueshme të sigurisë europiane, për të garantuar sigurinë afatgjatë të Europës.