Transmetuar më 24-09-2022, 09:07

Trajneri i Italisë, Roberto Mancini, vlerësoi skuadrën e tij të papërvojë për karakterin që tregoi në fitoren 1-0 ndaj Anglisë në Ligën e Kombeve, të premten mbrëma.

Në një lojë me pak raste në “San Siro”, Italia dukej më ambicioze dhe e zgjidhi ndeshjen me golin e minutës së 68-të të Giacomo Raspadorit.

Futbollisti i Napolit i dha gjithashtu Italisë një shans për të kryesuar grupin dhe për të kaluar në “play-off”, por do t’i duhet të mundë Hungarinë në Budapest, pasi kjo e fundit, kryesuese për momentin, fitoi papritur 1-0 në Gjermani.

“Është shumë e rëndësishme kjo fitore, pasi na jep një ndjenjë qetësie për shortin e kuaklifikueseve të Europianit. Ne gjithashtu kemi mundësinë të kryesojmë grupin. Jam i lumur për sonte, sepse mundëm Anglinë, një nga kombëtaret më të mira në botë”, – tha Mancini para gazetarëve.

Trajneri axurr zgjodhi një formacion 3-5-2 kundër Anglisë, në krahasim me 4-3-3 që Italia ka përdorur vitet e fundit. Sidoqoftë, 57-vjeçari nënvlerësoi rëndësinë e ndryshimit taktik: “Sistemi i lojës është një gjë, por rëndësi ka karakteri i një skuadre, dëshira për të sulmuar dhe për të marrë kontrollin. Ne kemi ende mungesë eksperience në skuadër dhe disa djem shumë të rinj, por luajtëm mirë sonte”.

Italia, e cila ka tetë pikë nga pesë ndeshje, do të përballet me Hungarinë më 26 shtator.