Transmetuar më 24-09-2022, 13:57

Bordi i Juventusit nuk e trajtoi çështjen e së ardhmes së Allegrit, edhe sepse do të kishte qenë e vështirë që përballë 254 milionë euro humbjeve të shtohej shifra e tepruar që lidhet me punësimin deri në vitin 2025 të trajnerit aktual dhe të ndonjë tekniku të ri eventual.

Bardhezinjtë do të vazhdojnë me Max, pra, nëse situata nuk mbetet ajo e ndeshjeve me Benfica dhe Monza. Në çdo rast, do të vazhdohet me këtë trajner deri në ndalesën e gjatë të Serie A për shkak të Kampionatit Botëror.

Situata është ndryshe për sezonin e ardhshëm. Pavarësisht asaj që mund të arrijë, me Allegrin do të vazhdohet deri në qershor. Duket shumë e ndërlikuar që stafi teknik aktual i Juventusit të mund ta vazhdojë përvojën në krye të “Zonjës së Vjetër” përtej verës së ardhshme.

Dihet që Gasperini është shumë i pëlqyer, por diçka po lëviz mbi emrin që është në zemrat e shumë tifozëve bardhezinj, edhe pse disa e konsiderojnë tradhtar për dy vitet tek Interi; Antonio Conte.

Rikthimi i tij më 2019 ishte vendosur tashmë, kur Sarri mbërriti, përpara se Andrea Agnelli të vendoste veton ndaj një marrëdhënieje konfliktuale që rezultoi në luftën e famshme “live” në margjinat e Juventus-Inter në Kupën e Italisë 2021.

Tani diçka duket se ka ndryshuar. Thashetheme të ndryshme flasin për një takim të fundit sqarues mes të dyve. Mund të jetë vetëm një mënyrë për të bërë paqe apo edhe një prelud për një partneritet të ri. Sidomos sepse konfirmimet vijnë nga Anglia.

“Daily Star” flet për rikthimin e mundshëm të Antonio Contes te Juventusi. Sipas tabloidit anglez, trajneri aktual i Tottenhamit, i cili po negocion me londinezët për rinovimin e kontratës që skadon në fund të sezonit, do të ishte gati të vlerësonte thirrjen e klubit të tij të vjetër. Pra, është i hapur për t’u kthyer në Itali.