Transmetuar më 24-09-2022, 14:05

Media shtetërore iraniane tha se të paktën 35 njerëz janë vrarë në më shumë se një javë protesta në Iran, që po organizohen pas vdekjes së një gruaje 22-vjeçare, e cila po mbahej nga Policia e moralit për shkak të shkeljes së rregullave të veshjes së hixhabit.

“Numri i njerëzve që vdiqën në trazirat e fundit në vend është rritur në 35 persona”, tha agjencia e lajmeve Borna, e cila është e lidhur me ministrinë e Sportit të Iranit, vonë më 23 shtator, duke cituar televizionin shtetëror. Numri zyrtar i të vdekurve kishte arritur më parë në 17, përfshirë pesë zyrtarë policorë. Protestuesit kanë dalë në rrugët e qyteteve të mëdha anembanë Iranit, përfshirë Teheranin, për tetë ditë rresht, që nga vdekja e 22-vjeçares, Mahsa Amini.

Gruaja kurde u shpall e vdekur tri ditë pasi Policia e moralit, një njësi përgjegjëse për zbatimin e Kodit të rreptë të veshjes për gratë në Iran, e arrestoi atë në Teheran për mbajtjen e shamisë së kokës në mënyrë “të pahijshme”. Policia tha se ajo vdiq nga një sulm i papritur në zemër, por aktivistët hedhin poshtë këto pretendime, duke argumentuar se ajo ishte rrahur gjatë arrestimit.

Protestat nisën në vendlindjen e Aminit, në provincën Kurdistan, por më pas u përhapën edhe në pjesë të tjera të vendit, përfshirë edhe në kryeqytetin iranian, Teheran. Për shumë iranianë, vdekja e Amini është dëshmi shtesë e shtypjes së atyre që nuk u binden urdhrave dhe rritjes së trajtimit të dhunshëm të vajzave të reja nga Policia e moralit.

Disa protestues madje kanë bërë thirrje që Republikës Islamike t’i vije fundi. Më 23 shtator, protestat e organizuara nga shteti janë mbajtur në disa qytete iraniane, për të sfiduar protestat kundër establishmentit që janë zhvilluar tash e disa ditë në Iran. Ushtria e Iranit tha se “do të shkatërrojë komplotet e ndryshme të armiqve në mënyrë që të ketë siguri dhe paqe për njerëzit që padrejtësisht po sulmohen”. Që nga nisja e protestave, mediat iraniane kanë raportuar se janë arrestuar rreth 300 persona.