Transmetuar më 26-09-2022, 09:55

FRANCË- Një ngjarje e tmerrshme ka ndodhur në Paris të dielën, ku është përfshirë nga flakët një magazinë në një treg masiv prodhimesh që furnizon kryeqytetin francez dhe rajonin përreth me pjesën më të madhe të ushqimeve të tij të freskëta.

Zjarrfikësit u kërkuan njerëzve të qëndrojnë larg zonës në periferitë jugore të Parisit, pasi 100 oficerë dhe 30 makina zjarrfikëse luftuan me flakët në tregun ndërkombëtar Rungis, raporton abcnews.

Kapiteni Marc Le Moine, një zëdhënës i shërbimit zjarrfikës të Parisit, tha se askush nuk u lëndua. "Zjarri u vu nën kontroll dhe nuk kishte rrezik të përhapej nga depoja me madhësi të fushës së futbollit, që mbulonte një sipërfaqe prej 7,000 metrash katrorë", tha ai. Gjithashtu, ai shtoi se shkaku i zjarrit nuk dihet por do të hetohet.

Tregu i gjerë i shitjeve me shumicë është një qytet i vërtetë më vete, me më shumë se 12,000 njerëz që punojnë atje dhe magazina të mbushura me fruta dhe perime, ushqim deti, mish, produkte qumështi dhe lule nga e gjithë Franca dhe e gjithë bota.