Transmetuar më 26-09-2022, 11:22

Lionel Messi ka folur për shokët e tij të skuadrës te PSG, Neymar dhe Mbappé, në një intervistë dhënë për “TUND USA”. Argjentinasi pohoi:

"Neymar dhe unë e njohim njëri-tjetrin përmendësh, u argëtuam shumë në Barcelonë. Do të kisha dashur të kisha shijuar më shumë lojëra me të në Spanjë, por jeta na ka bërë të takohemi përsëri këtu.

Kylian është një lojtar ndryshe, një bishë, shumë i fortë në duelet një kundër një dhe tejet i shpejtë. Është një lojtar i kompletuar, e ka dëshmuar prej vitesh dhe sigurisht mund ta quajmë një nga më të mirët".

Më pas, ylli argjentinas u ndal tek objektivat e PSG-së: "Qëllimi i PSG-së, të gjithë e dinë, është fitimi i Champions League. Sezonin e kaluar, eliminimi ndaj Real Madridit ishte shumë i vështirë për t’u tretur, sepse kishim luajtur dy ndeshje të mëdha, të vendosura nga detajet.

Sezoni është i çuditshëm, me një Botëror në mes, por Liga e Kampionëve mbetet objektivi kryesor i PSG-së. Është një kompeticion i vështirë për t’u fituar, jo gjithmonë fiton më i miri. Ne po përgatitemi për më të mirën që mundemi, duam të përballemi me të gjitha situatat”.