Transmetuar më 26-09-2022, 12:29

Elbasan- Arrestohen pjestarët e një familje që merrej me kultivimin dhe shitjen e drogës në Gramsh.

Seksioni kundër Narkotikëve, në bashkëpunim me Seksionin Operacional dhe Forcën e Posaçme "Shqiponja", në Drejtorinë Vendore të Policisë në Elbasan,organizuan operacionin policor "Relatives", si rezultat i të cilit u arrestuan në flagrancë Ilir Çoniku 46 vjeç, Marjana Çoniku, 41 vjeçe (bashkëshortë) dhe Dejvi Çoniku, 23 vjeç (djali i tyre).

Nga veprimet hetimore dyshohet se pjestarët e kësaj familje, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ushtronin veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.

Gjatë kontrollit në dy banesa në përdorim nga kjo familje, në Gramsh, janë gjetur dhe sekuestruar 5 kg lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa, që dyshohet se janë prodhuar dhe përgatitur për shitje nga 23-vjeçari dhe prindërit e tij.

Gjithashtu, gjatë kontrollit të dy banesave u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale edhe një sasi municioni luftarak.

Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprime të mëtejshme procedurale.