Transmetuar më 04-10-2022, 20:04

SERBI- Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç thotë se po vjen “një betejë tjetër e Stalingradit”. Vuçiç, duke folur në prezantimin e librit “Vepra të mbledhura ta Milorad Ekmeçiçit”, ka thënë se po vjen beteja e re më shpejt sesa pritej, teksa i referohet mundësisë së një lufte të re botërore, shkruan "Euronews Serbia".

“Kam frikë se beteja e Stalingradit do të vijë me të vërtetë dhe më shpejt se që pritej nga kushdo dhe jam i shqetësuar për rezultatin e asaj beteje”, tha Vuçiç.

“Mbetet të shihet, ku do të jemi ne serbët, çfarë do të bëjmë me veten, a do të arrijmë ta ruajmë bregun e djathtë dhe të majtë të Danubit, për veten tonë, për popullin tonë dhe jo për askënd tjetër. Kjo duhet të jetë gjëja më e rëndësishme për ne dhe me këtë zotim e besim të shikojmë në të ardhmen”

Ai thotë se Serbia po përballet me periudhën më të vështirë sesa ajo e viteve 1990-ta.

Në Betejën e Stalingradit në Luftën e Dytë Botërore, që u zhvillua nga 23 gushti i vitit 1942 deri më 2 shkurt të vitit 1943, vdiqën afro 2 milionë persona. Njihet si beteja më e përgjakshme në histori të luftërave. Gjermania Naziste me aleatët e saj kishte luftuar për ta marrë nën kontroll qytetin Stalingrad të Bashkimit Sovjetik, qytet që tani njihet si Volgograd.