Transmetuar më 05-10-2022, 09:13

Reduktimi i orarit të hapjes për dyqanet tregtare po konsiderohet nga komuniteti i biznesit në Greqi si pjesë e masave për uljen e kostove të rritura të energjisë.

Hapi i parë po hidhet në Selanik, kryeqendra e rajonit të Maqedonisë në Greqi, për të vazhduar me Athinën ku jeton më shumë se gjysma e popullsisë 10 milionëshe të vendit, raporton noa.al.

Vendimi përfshin të gjitha njësitë tregtare dhe të shërbimeve përfshirë supermarketet dhe qendrat tregtare.

Ai vjen në përpjekje për të ulur kostot për shkak të problemeve të krijuara nga kriza energjitike, njoftoi Dhoma e Tregtisë e Selanikut.

Konkretisht, është planifikuar që nga e hëna, 10 tetor, orari i punës të vendoset si më poshtë:

E hënë: 10:00-16:00 E martë: 10:00-19:00 E mërkurë: 10:00-16:00 E enjte: nga ora 10:00 deri në 19:00 E premte: 10:00-19:00 E shtunë: 10:00-16:00. E diel pushim.

Prej shumë vitesh Greqia ka aplikuar një orar strikt të dyqaneve. Të hënë, të mërkurë e të shtunë ato hapen nga ora 9 deri në 14, kurse supermarketet e qendrat tregtare deri në 21, të shtunën 20.00.

Të martë, të enjte dhe të premte edhe pasdite 17 deri në 21. Megjithatë plot dyqane kanë aplikuar vitet e fundit mbajtjen hapur nga mëngjesi deri në darkë.

Bordi Drejtues i Dhomës së Tregtisë së Selanikut tha se doli me këtë kërkesë pas uljes së xhiros dhe kërkesës së qeverisë për ulje të konsumit të energjisë elektrike duke parashikuar një dimër problematik.

President i Shoqatës Tregtare të Athinës tha se ky orar duhet të aplikohet në të gjitha dyqanet e të gjitha llojeve, përfshirë baret e restorantet, "që të mos përballemi sërish me konkurrencë të pandershme si në të shkuarën e afërt".

Vendimi përcakton se nuk ka vlefshmëri të kufizuar kohore, për sa kohë zgjasin kushtet e emergjencës.

Ky ndryshim sjell ulje me 7.5 për qind të konsumit ditor të energjisë në vendin fqinjë.

Në Shqipëri, dyqanet qëndrojnë hapur më së shumti nga mëngjesi herët deri vonë në darkë, nga e hëna në të diel.

/noa.al