Transmetuar më 06-10-2022, 17:00

Tetori është muaji sensibilizues ndaj kancerit. Alida Repaj ishte sot në një lidhje “Skype” me emisionin “Shqipëria Live” për të rrëfyer betejën e saj me sëmundjen. 42-vjeçarja u diagnostikua me sëmundjen e rëndë në periudhën më të lumtur të jetës së saj.

Gjatë rrëfimit të saj, ajo u shpreh se në momentin e parë që e mori vesh, frikën më të madhe kishte fëmijët.

Alida u shpreh se kur ka bërë vizitën e parë, mjekët i kanë thënë se ishte një cist, por për të saktësuar se çfarë është të bëj një vizitë më të detajuar. Por duke qenë periudhë koronavirusi, ajo e kishte neglizhuar.

Rrëfimi i plotë i Alida Repajt në “Shqipëria Live”:

Kur mora vesh se isha me kancer, burri nuk e besonte se më thoshte po të ishe do qaje. Kaq shumë e mora si mpirje, nuk kisha asnjë lloj shprehie. Nisi dy javë kështu, derisa u konfirmua se isha me kancer.

E kisha të vështirë ta pranoja. Kisha frikë vdekjen, gjithmonë e kam pas frikë. Nuk ma pranonte truri se isha në prag të vdekjes. Vetja ime e mendonte një gjë të tillë.

Kanceri që unë kisha ishte masë e madhe. Gjërat u përkeqësuan gjatë operacionit, pasi brenda masës që kisha gjetën edhe një lloj tjetër që shpërndante metastaza në gjithë trupin dhe aty nisi frika më e madhe.

Ishte si një sinjal. Tani që e kam mundur këtë betejë, mendoj se ishte sinjal nga Zoti. Thjesht një ditë po bëja dush dhe nuk e di se si më hasi dora në një gjë të fortë. Muaj pas muaji e kontrolloja veten.

Shkova menjëherë te mjeku dhe më tha se janë gjëra që çdo grua e ka në moshën tënde. Më tha se për të qenë e sigurtë të shkoj të bëj një tjetër kontroll.

Përjetimi më i vështirë ka qenë me fëmijët. Mendoja se do më thoshin se do bësh operacionin dhe nuk do kesh nevojë për kimioterapi, e nuk kisha pse t’i shqetësoja.

Më kap melankolia një ditë para operacionit dhe thashë më mirë t’ua tregoj. Janë në moshë madhore dhe u tregova. E morën shumë keq, sidomos djali i dytë, se i madhi i kuptonte më mirë.

Pjesa e kimios ishte e vështirë, se bëra një luftë tjetër pasi nuk i tregova askujt, as prindërve. Unë babain e kisha të sëmurë, kishte kaluar 5 infarkte dhe 8 vite pa më parë. Mendoja se do ishte fatale për të. Ato mendonin se do ikja, se sapo kisha bërë letrat. Pandemia më ndihmoi në gjithë këtë të keqe, pasi u thosha se nuk vij dot për shkak të Covid-19.