Transmetuar më 15-10-2022, 07:35

“Mercedez Benz” vijon të jetë marka më e preferuara nga shqiptarët. Makinat e vjetra mbizotërojnë me mbi gjysmën e tyre që janë 11-20 vjet të vjetra. Makinat me naftë përbëjnë mbi 70% të totalit, ato me benzinë rreth 17%.

Sipas INSTAT, në vitin 2021, numri gjithsej i mjeteve rrugore me status “aktiv” dhe “të çregjistruar përkohësisht” rezulton 740.669 mjete, nga 676.811 mjete të regjistruara deri në vitin 2020, duke u rritur me 9,4%.

Nga mjetet rrugore sipas llojit, përqindjen më të madhe ndaj numrit gjithsej të mjeteve rrugore e zënë “Autoveturat” (80,1%), “Automjetet për transport të përzier ” (6,7%) dhe “Motor” (5,1%),

Në vitin 2021, numri i autoveturave për pasagjerë për 1.000 banorë është 212 krahasuar me 190 në vitin 2020 duke u rritur me 11%.

Numri i autoveturave deri në Dhjetor të vitit 2021, është rritur me 10,0%, në krahasim me vitin 2020, automjetet për transport të veçantë janë rritur me 8,0% dhe automjetet për përdorim të veçantë me 5,9%, në krahasim me vitin 2020.

Numri më i lartë i mjeteve rrugore është regjistruar në qarkun e Tiranës për vitin 2021, duke zënë 35,0% ndaj mjeteve rrugore gjithsej të regjistruara në vend.

Autoveturat me kambio “Manuale” zënë pjesën më të madhe (62,6%) të autoveturave gjithsej që rezultojnë me status “aktiv” ose “të çrregjistruara përkohësisht” deri në vitin 2021.

Numri i autoveturave të regjistruara deri në Dhjetor të vitit 2021, me vit prodhimi 2011-2021 është rritur me 32,7%, grupi 2000-2010 është rritur me 11,3% ndërsa grupi i autoveturave me vit prodhim para vitit 2000 ka pësuar rënie me 1,2%.

Në nivel më të detajuar, deri në Dhjetor të vitit 2021, autoveturat me moshë 11-20 vite përbëjnë 54,2% të numrit gjithsej të autoveturave me status “aktiv” ose “të çrregjistruara përkohësisht”.

Preferenca është “Mercedes benz”

Ndër markat kryesore të autoveturave që qarkullojnë në vend, dominojnë marka “Mercedez Benz” (18,2%), e ndjekur nga “Volkswagen” (17,5%) dhe “Daimler Chrysler” (10,9%), citon monitor.

Deri në Dhjetor të vitit 2021, marka “Mercedez Benz” regjistrohet si marka më e përdorur e autoveturave të regjistruara me vit prodhimi para 2000 dhe viteve 2011-2021. Marka “Volksëagen” regjistrohet si marka më e përhapur e autoveturave me vit prodhimi 2000-2010.

Makinat janë me naftë, ulet pesha e mjeteve me benzinë

Numri më i madh i autoveturave që qarkullojnë në vendin tonë deri në Dhjetor të vitit 2021 përdorin lëndë djegëse “Naftë” duke zënë 73,6% nga 73,5% deri në Dhjetor të vitit 2020, ndjekur nga autoveturat që përdorin lëndë djegëse “Benzinë” me 17,3% ndaj numrit gjithsej të autoveturave nga 18,2% që ky grup zinte deri në vitin 2020.