Transmetuar më 27-10-2022, 08:13

Tiranë- Presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von Der Leyen vjen sot në Tiranë në kuadër të një turi ballkanik që ka nisur një ditë më parë.

Leyen pritet të prezantojë planin që shoqërohet nga një fond prej 1 miliard eurosh, që do të shpërndahet në Ballkan për të përballuar çmimet e energjisë. Në mëngjes ajo do të jetë në Prishtinë, ndërsa në mesditë do të vizitojë dhe Tiranën.

Ndërkohë ditën e premte ajo do të vizitojë Bosnje Hercegovinën dhe Malin e Zi. Të shtunën do të mbyllë vizitën e saj në Serbi. Një ditë më parë, Von der Leyen, i ka dhënë mbështetje Maqedonisë së Veriut në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. Ajo ka përmendur edhe krizën e energjisë, si pasojë e luftës së Rusisë në Ukrainë.

Pas takimit me kryeministrin maqedonas, Dimitar Kovaçevski, presidentja e KE-së, Von der Leyen, ka dënuar sulmet ruse në Ukrainë, duke i cilësuar “brutale” ndaj civilëve, por edhe ndaj objekteve të energjisë, me qëllimin e vetëm që populli ukrainas të vuajë sa më shumë agresionin rus.

Vizita e presidentit të KE-së në rajon vjen dy javë pasi u publikuan raportet e progresit të të gjashtë vendeve, në të cilat u dha një vlerësim i detajuar dhe udhëzime të qarta që u mundësojnë vendeve të Ballkanit Perëndimor të kuptojnë se ku duhet të përshpejtohen reformat.