Transmetuar më 05-11-2022, 14:51

PRISHTINË- Ka dhënë dorëheqjen kreu i Listës Serbe, Goran Rakiç. Ai ka njoftuar se kanë marrë vendim për të dalë nga institucinet e Republikës së Kosovës. Rakiç gjithashtu ka thënë se jep dorëheqje edhe nga pozita e ministrit që mban në Qeverinë e Kosovës. Ai ka treguar se kanë vendosur që serbët të largohen nga të gjitha institucionet politike – Kuvendi, Qeveria dhe 4 komunat, por edhe nga drejtësia, policia dhe administrata në Kosovë.

Kreu i Listës Serbe ka thënë se ata nuk do të kthehen në institucionet e Republikës së Kosovës deri në momentin që kryeministri Albin Kurti të tërheqë vendimin për targat dhe të nisë formimin e Asociacionit në përputhje me marrëveshjen e parë të nënshkruar në Bruksel.

“Kjo konkretisht do të thotë – derisa ai (Albin Kurti) të tërheqë vendimet e njëanshme dhe të kundërligjshme për riregjistrim, derisa të formojë Asociacionin e Komunave Serbe në përputhje me marrëveshjen e parë dhe të gjitha marrëveshjet e tjera të lidhura në këtë çështje në dialog”, ka deklaruar Rakiç.

Ky vendim ka ardhur pas takimit që kanë mbajtur me të gjithë ata që punojnë në institucionet e Republikës së Kosovës. Serbët këtë vendim e kanë marrë si shenj revolte ndaj vendimit të kryeministrit Kurti për targat dhe për vendimin për suspendimin e drejtorit rajonal të Policisë në veri, Nenad Gjuriç.