Transmetuar më 08-11-2022, 08:37

Faith Bistline ishte shumë e emocionuar për udhëtimin e saj të ditëlindjes së 30- të në Kosta Rika me të dashurin e saj. Befas, pak javë para se të hipnin në aeroplan ajo mori një mesazh shqetësues në Facebook.

"A është ky i dashuri juaj?" pyeti një përdorues, duke treguar një foto të Faith dhe partnerit të saj të 18 muajve të fundit. “Sepse ka 10 muaj që është në lidhje me të dashurën time”, shtoi ai. Ishte pikërisht i dashuri i vajzës me të cilën ishte lidhur ndërkohë, i dashuri i Faith.

Bistline e gjeti veten në një surprizë. Në fillim ajo ishte skeptike dhe mendoi se ishte një gabim. Ajo bëri një foto të mesazhit dhe ia përcolli të dashurit të saj. Ai e lexoi, por heshti.

Një moment më vonë Faith mori një mesazh të ri. Këtë herë nga Emely Ortiz, e cila ishte vajza që përdoruesi më herët i kishte përmendur. Ajo tregoi se ishte në lidhje me të dashurin e saj prej gati një viti.

“Unë thjesht dua të di se sa kohë keni që jeni lidhur. Të ka thënë ndonjëherë që jam me të apo nuk e kishe idenë?”, pyeti 22-vjeçarja.

Bistline u përgjigj se ajo nuk e kishte idenë se ai po dilte me dikë tjetër: “Nuk e kisha idenë. Ky lloj njeriu po më tremb. Ne jemi të lidhur prej gati një viti e gjysmë. Jam duke u përpjekur t’i jap një shans për të shpjeguar, por ai nuk po më përgjigjet tani."

Dy femrat vazhduan të shkëmbenin mesazhe dhe konfirmuan se ishte vërtet i njëjti burrë.

Faith filloi të takohej me të në prill 2021 pasi e takoi përmes një miku të përbashkët. Kurse Emely e takoi në klinikën ku ajo punon si asistente e mjekut ndërsa ai ishte duke bërë stazhin në tetor 2021.

Dy gratë madje diskutuan se ku i vendosnin furçat e dhëmbëve kur qëndronin në shtëpinë e tij në Las Vegas, madje edhe xhaketën gri që ai mbante veshur.

Por si e justifikoi veten?

Në një moment burri vendosi t’u përgjigjej mesazheve, por nuk dukej i gatshëm të jepte detaje të asaj që kishte ndodhur. Ai u mjaftua të thotë: "Unë mendoj se kam disa shpjegime për të bërë" dhe shtoi një emoji duke qeshur.

Emely, nga ana e saj, vendosi ta lërë jashtë shtëpisë dhe kur ajo i kërkoi një shpjegim ai bëri sikur nuk e kishte idenë.

"Për çfarë po flet; A je e çmendur?” e pyeti dhe kur ajo i tregoi mesazhet ai iu përgjigj “Oh po. Nuk duhet ta kisha lënë kurrë këtë situatë që të dilte nga kontrolli”.

Dy vajzat sigurisht që u ndanë përnjëherë me të. Por Faith i kujtoi pushimet në Kosta Rika. Ai kishte paguar tashmë dhe ajo nuk donte ta humbiste. Kështu, Faith i sugjeroi Emely-t që ta bënin udhëtimin së bashku.

“Nëse dëshironi, ne mund të shkojmë së bashku në Kosta Rika. Më mirë të shkoj me ty sesa me të, – i tha ajo.

“Sigurisht që pas kësaj na duhen pushime”, u përgjigj e dyta, raporton noa.al duke cituar gazetën Washington Post.

Kështu më 16 shtator të dyja hipën në aeroplan për në Kosta Rika. Dy gratë kaluan katër ditë së bashku duke eksploruar xhunglën dhe ujëvarat, ndërsa u bënë edhe mikesha, shoqe për kokë.

“Kaluam shumë mirë dhe ishim në gjendje të ndihmonim njëra-tjetrën të bluanim e të kapërdinim atë që sapo na kishte ndodhur… Të dua Emely. Faleminderit që më besive dhe udhëtove me mua”, tha Faith. /noa.al