Transmetuar më 21-11-2022, 21:52

BEOGRAD- Presidenti serb, Aleksandër Vuçië ka reaguar menjëherë pas dështimit të marrveshjes Kosovë-Serbi për targat në Bruksel.

"Jam krenar për faktin që delegacioni ynë erdhi në Bruksel me synimin për të negociuar dhe ruajtur paqen dhe jetët e njerëzve, si dhe stabilitetin. Nuk më vjen turp për këtë. Ne vepruam në mënyrë racionale, sepse besojmë se nuk ka një nënë që do të donte që fëmija i saj të kthehej në arkivol tek ajo. Menduam se është e rëndësishme të bëjmë më të mirën, të pranojmë një kompromis,"- tha sonte presidenti serb Aleksandër Vuçiç në konferencën emergjente para popullit të tij pas takimit disa orësh në Brukel me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

“Pala shqiptare nuk donte kompromis”

“Tashmë pas një ore u thashë se nuk ka asgjë për këtë, se pala shqiptare nuk do të dëshirojë kompromis,”- theksoi Vuçiç.

Ai thotë se në Bruksel ka konfirmuar se Serbia nuk ka problem me “targat KS” dhe se është e gatshme t’i pranojë, por duhet ta zbatojmë atë që tashmë është nënshkruar.

"Ata nuk e pranojnë që Asosacioni është produkt i Marrëveshjes së Brukselit dhe se ajo që është nënshkruar nga dy palë, bashkë me nënshkrimin e BE-së… Si mund t’u besojmë atyre për ndonjë gjë në të ardhmen nëse nuk kanë respektuar atë që është nënshkruar në të kaluarën? Kur u duk e mundur që të kishte një kompromis, rreth orës 3 të pasdites ishim afër, pranuam propozimin e Borellit që është që Kosova të pezullojë të gjitha veprimet që kanë të bëjnë me riregjistrimin. E bëmë sepse mendojmë dhe e kam theksuar vazhdimisht se është më mirë të flasim 100 vjet sesa të përplasemi një ditë. Për ne nuk ka pasur asgjë problematike në atë propozim, por është e qartë se dikush tjetër dëshiron konflikte dhe nuk është rastësi që sonte Policia e Kosovës është dërguar në katër lokacione në Veri të vendit,"- shpjegoi presidenti.

"Situata në prag konflikti"

Vuçiç ka theksuar se nuk ka arsye për panik, por ka diçka për t’u shqetësuar.

“Situata është shumë e vështirë, në prag konflikti, dhe unë e di që serbët në Kosovë do të më thonë se nuk mund të durojnë më, por jeta e secilit prej tyre është më e rëndësishme për ne se çdo gjë tjetër. Edhe një herë i kërkoj Perëndimit që të përpiqet të përdorë ndikimin e tyre tek Kurti për të na ndihmuar të ruajmë paqen,”- tha ai.

Vuçiç theksoi se u është mirënjohës përfaqësuesve të BE-së për durimin e tyre gjatë bisedimeve të sotme dhe se nuk ka për çfarë të ankohet.

"Ne do të vazhdojmë gjithçka që mundemi, do të jemi gjithmonë të gatshëm për të vazhduar bisedën. Serbia do t’i përkushtohet paqes dhe ne do të bëjmë çmos për ta mbajtur popullin tonë të sigurt, por nëse dikush mendon se mund të dëbojë dhe vrasë njerëzit tanë, unë do të përsëris atë që kam thënë tashmë, që ne nuk do i lëmë njerëzit tanë."

“Serbët nga Kosova po vijnë sonte në Beograd”

Duke iu përgjigjur pyetjes për takimin e mundshëm të radhës me përfaqësuesit e Prishtinës, ai tha se ende nuk ka një datë.

"Unë jam gjithmonë i gatshëm të shkoj të flas, por ndonjëherë nuk mund të flasësh, si sot përshembull. Më vonë sonte do të kem një takim të shkurtër me Daçiçin, Mojsiloviçin dhe Vuçeviçin. Mesazhi im kryesor për serbët do të jetë që të përpiqen të ruajnë paqen,"- tha presidenti.

Vuçiç, duke iu përgjigjur pyetjes se a mendon se Serbia fitoi sot në Bruksel, sepse BE-ja për herë të parë tha se fajtor ishte Albin Kurti dhe se Serbia bëri gjithçka që ishte e mundur, tha se nuk ndjen se Serbia doli e fituar.

"Për çfarë fitoreje po flasim kur nuk dua të fle gjithë natën, se e di që askush në veri të Kosovës nuk do të mbyllë sytë gjithë natën nga frika. Nuk dridhemi nga frika për jetën tonë, por për gjithçka që mund të na ndodhë,"-shtoi ai.

Sot në Bruksel, nuk është arritur asnjë dakordësi mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurtit dhe presidentit Serb, Aleksandër Vuçiç për çështjen e targave. Kryedipolmati i Bashkimit Evropian Josep Borrell, tha se një propozim i tyre ishte pranuar vetëm nga Vuçiç, por ishte kundërshtuar nga Kurti. Vuçiç, tha se në bisedimet me Kurtin nuk është arritur asnjë marrëveshje. Nga ana tjetër, Kurti tha se propozimi i Bashkimit Evropian për çështjen e targave ilegale serbe ka qenë i papranueshëm. Borell, deklaroi se dy krerët e dy vendeve mbajnë përgjegjësi të plotë për dështimin e negociatave si dhe për çdo përshkallëzim të situatës në Veri të Kosovës.