Transmetuar më 21-11-2022, 22:44

BRUKSEL- Dështimi i marrëveshjes Kosovë-Serbi në Bruksel ka alarmuar institucionet ndërkombëtare.

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Europian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, ka thënë se e ka informuar Sekretarin e NATO-s, Jens Stoltenberg se çfarë ndodhi sot në takimin mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiç. Me anë të një postimi të bërë në rrjetet e tij sociale, Borrell theksoi se përshkallëzimi duhet të shmanget me çdo kusht.

“Informova NATO për rezultatin zhgënjyes të takimit të sotëm të nivelit të lartë të ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Përshkallëzimi duhet të shmanget. BE dhe NATO mbeten të koordinuara në terren. Gjithashtu edhe Eulex,”- ka shkruar Borrell në llogarinë e tij në Twitter.

Sot, nuk është arritur asnjë dakordësi mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurtit dhe presidentit Serb, Aleksandër Vuçiç për çështjen e targave. Kryedipolmati i Bashkimit Evropian Josep Borrell, tha se një propozim i tyre ishte pranuar vetëm nga Vuçiç, por ishte kundërshtuar nga Kurti. Vuçiç, tha se në bisedimet me Kurtin nuk është arritur asnjë marrëveshje. Nga ana tjetër, Kurti tha se propozimi i Bashkimit Evropian për çështjen e targave ilegale serbe ka qenë i papranueshëm. Borell, deklaroi se dy krerët e dy vendeve mbajnë përgjegjësi të plotë për dështimin e negociatave si dhe për çdo përshkallëzim të situatës në Veri të Kosovës.