Transmetuar më 04-12-2022, 19:40

Maqedonia e Veriut- Të gjithë ankohen për krizën. Të gjithë kanë ngritur çmimet duke u ankuar se u shtrenjtua energjia, karburantet, transporti etj. Por ka edhe nga ata njerëz (për fat të keq të rrallë) që sfidojnë realitetin. I tillë është Taulanti, berberi nga Tetova.

Taulanti: “Vetëm me punë mundet të realizohet ëndrra”.

-Çmimet a janë rritur a jo?

Taulanti: “Nuk punojnë me benzinë këto”.

Kështu shprehet Taulant Murati, një berber i ri nga Tetova, dyqani i të cilit frekuentohet nga të rinjtë kur duan të bëjnë prerjen e flokëve në modelet e fundit dhe trendëve më të reja.

Thotë se punën e tij e bën me shumë pasion dhe përkushtim dhe se ëndrra e tij është që një ditë të arrijë edhe më shumë në profesionin që ai bën.

“Jemi rritur me këtë punë dhe nuk mendoj të qëndroj vetëm këtu, mendoj që ta përhap biznesin dhe të shkojmë sa më lart, me treguar se edhe ne mundemi jo vetëm tjerët me arrit në punën e vet, çdokush i ka ëndrrat e veta unë e kam ëndrrën time me arrit shumë më lart se këtu ku jam”, tha Taulant Murati.

Edhe pse çmimet janë rritur e sidomos kanë ndikuar tek bizneset e vogla, Taulanti nuk i ka rritur çmimet e shërbimeve në dyqanin e tij.

“Nuk e bëjmë vetëm për para këtë punë siç e bëjnë shumica, jo, dua të kënaqem unë, të jenë të kënaqur klientët, të këtë për gjithkënd nga pak, edhe pa para nëse duhet ta bëj, unë përsëri e bëj punën, e kam qejf ta bëj, e dua këtë punë dhe do të vazhdoj ta bëj”, tha Taulant Murati, berber.

E Taulanti e tha edhe çelësin e suksesit për të gjithë të rinjtë që duan të realizojnë ëndrrat e tyre.

“Vetëm me punë, ne qofte se keni ëndrra, vetëm me punë mundet të realizohet ëndrra, gjithçka është e mundur, fati ka ndikuar tek unë ndoshta ndikon edhe tek ju”, tha Taulant Murati, berber.

Klan Maqedonia