Transmetuar më 07-12-2022, 14:30

Vëllimi i tregtisë së jashtme kineze në 11 muajt e parë të vitit 2022 u rrit 8.6 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke arritur në 38.34 trilionë juanë (5.5 trilionë dollarë) e duke treguar zhvillim të qëndrueshëm.

Sipas të dhënave zyrtare të publikuara të mërkurën prej Administratës së Përgjithshme të Doganave, eksportet u shtuan 11.9 për qind, duke arritur në 21.84 trilionë juanë, ndërsa importet 4.6 për qind, në vlerën 16.5 trilionë juanë.

Rritje të madhe ka pasur veçanërisht kategoria e eksporteve të produkteve të energjive të reja.

Në 11 muajt e parë të këtij viti, eksportet e baterive të litiumit dhe të paneleve diellore të Kinës u rritën përkatësisht me 86.6 dhe 74.3 %.

Në janar-nëntor të këtij viti tregtia e Kinës me partnerët e saj të mëdhenj ruajti prirjen e rritjes së qëndrueshme. Tregtia me vendet përgjatë “Një brez, një rrugë” u rrit me 20.4 % dhe me vendet anëtare të Partneritetit të Gjithanshëm Ekonomik Rajonal 7.9 %.

Ndërkohë, tregtia me vendet e ASEAN-it, partneri më i madh tregtar i Kinës, u shtua me 15.5 për qind, ndërsa me partnerin e dytë më të madh tregtar të saj, Bashkimin Evropian, u rrit 7 për qind.

Megjithatë, në dollarë, eksportet e Kinës në nëntor ranë 8.7 për qind dhe importet 10.6 për qind krahasuar me të njëjtin muaj të një viti më parë, pasi kërkesa globale u dobësua nga rritja e normave të interesit në ekonomitë e mëdha dhe ndërprerjet e prodhimit të shkaktuara nga shpërthimet e COVID-19 brenda vendit.

Qytetet e mëdha të Kinës kanë vazhduar të optimizojnë masat e përgjigjes ndaj COVID-19 në ditët e fundit, duke lehtësuar rregullat e karantinës dhe kërkesat e testimit.

Guangzhou, një qendër prodhimi në Kinën Jugore, ka hequr të gjitha masat e përkohshme të kontrollit në zonat me rrezik të ulët që nga 30 nëntori, pas goditjes nga një shpërthim i COVID-19 më parë po gjatë atij muaji.

Në një mbledhje të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës të martën, zyrtarët u zotuan të stabilizojnë rritjen ekonomike, të forcojnë kërkesën e brendshme dhe të optimizojnë masat e kontrollit të pandemisë, për të nxitur rritjen me cilësi të lartë në vitin 2023.