Transmetuar më 08-12-2022, 13:24

Vitet e fundit, marrëdhëniet e partneritetit strategjik ndërmjet Kinës e vendeve arabe kanë pasur përparime të reja dhe ndërtimi i përbashkët i “Një brez, një rrugë” ka arritur në një fazë të re.

Bashkëpunimi konkret dypalësh ka nxitur thellimin dhe forcimin e marrëdhënieve Kinë-vendet arabe.

"Pa dyshim që kompanitë kineze janë të mirënjohura në botë për zhvillimin e tyre të fuqishëm në sferë globale vitet e fundit, veçanërisht për rolin e rëndësishëm që luajnë në zinxhirin e furnizimit global.

Si brenda Kinës, ashtu edhe jashtë saj, produktet e prodhuara nga kompanitë kineze janë të gjitha shumë konkurruese.

Ne shpresojmë që Arabia Saudite të bëhet një pikë tranziti që produktet dhe investimet kineze të shkojnë në pjesën tjetër të botës."

Kështu u shpreh ministri i Industrisë dhe i Burimeve Minerare i Arabisë Saudite Bandar Al-Khorayef për bashkëpunimin ndërmjet Kinës dhe vendeve arabe në konferencën e Nismës së Investimeve për të Ardhmen, të njohur edhe si “Davosi i Shkretëtirës”.

Bashkëpunimi ndërmjet Kinës dhe vendeve arabe u përmbahet përfitimeve të ndërsjella dhe promovon në mënyrë aktive lehtësimin e tregtisë dhe investimeve, duke nxitur rritjen e shumëfishtë të investimeve të dyanshme dhe tregtisë dypalëshe.

Në vitin 2021, vlera e investimeve të drejtpërdrejta të dyanshme Kinë-vendet arabe arriti në 27 miliardë dollarë, ndërsa vëllimi i tregtisë dypalëshe në 330.3 miliardë dollarë, duke u rritur përkatësisht 2.6 herë dhe 1.5 herë në krahasim me 10 vjet më parë.

Ndërkohë, në tre tremujorët e parë të vitit 2022, vlera e tregtisë Kinë-vendet arabe arriti në 319.295 miliardë dollarë, 35.28 % më shumë në krahasim me të njëjtën periudhën të vitit të kaluar, duke iu afruar nivelit të mbarë vitit 2021.

Ndërkohë, edhe bashkëpunimi në fushën energjetike ndërmjet të dyja palëve është thelluar vazhdimisht.

Në fushën e energjive tradicionale, modeli i bashkëpunimit “naftë dhe gaz+” është promovuar më tej dhe është vendosur bashkëpunim në të gjithë zinxhirin industrial të naftës e gazit, eksplorimit, rafinimit, rezervimit dhe transportit, duke ndërtuar një sërë veprash të rëndësishme, si rafineria “YASREF” në Arabinë Saudite.

Në vitin 2021, vlera e importit të naftës bruto të Kinës nga vendet arabe arriti në 264 milionë tonë, duke zënë 51.47 % të vëllimit të përgjithshëm të importit të naftës bruto gjatë së njëjtës periudhë.

"Emiratet e Bashkuara Arabe kanë centralin më të madh të energjisë diellore në një pikë të vetme në botë, centralin elektrik “Matoum”, që është ndërtuar nga Grupi Elektrik i Shangait në bashkëpunim me Dubain.

Bashkëpunimi ndërmjet Kinës dhe Emirateve të Bashkuara Arabe ofron një shembull për vendet e tjera për të arritur zhvillim të qëndrueshëm dhe bashkëpunim”.

Vendet arabe gjenden në kryqëzimin e “Një brez, një rrugë” dhe kanë qenë pjesëmarrëse të rëndësishme në qytetërimin e Rrugës së Mëndafshit në histori, duke qenë kësisoj partnere natyrore të bashkëpunimit për ndërtimin e përbashkët të “Një brez, një rrugë”.

Tani Kina ka nënshkruar dokumente bashkëpunimi me 20 vende arabe për ndërtimin e përbashkët të nismës “Një brez, një rrugë”. Mbi 200 projekte të mëdha të bashkëpunimit kino-arab kanë sjellë përfitime për afro 200 milionë veta nga të dy palët.

Drejtori ekzekutiv i Portit të Abu-Dabit në Emiratet e Bashkuara Arabe tha se ndërtimi i përbashkët i “Një brez, një rrugë” do të ketë një ndikim të thellë në modelin e tregtisë botërore.

Samiti Kinë-Këshilli i Bashkëpunimit i Gjirit pritet t’i japë një shtytje të re bashkëpunimit Kinë – vendet arabe. Në pritje të hapjes së këtij Samiti, presidenti kinez Xi Jinping , i cili do të marrë pjesë në këtë event i shpreh:

"Mezi pres të marr pjesë në Samitin e 1-rë Kinë-Shtetet Arabe dhe në Samitin Kinë-Këshilli i Bashkëpunimit i Gjirit dhe të punoj me liderët e vendeve arabe dhe të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit për t’i ngritur marrëdhëniet e Kinës me vendet arabe dhe vendet e Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit në një nivel të ri”.