Transmetuar më 21-12-2022, 21:44

Argjentinë- Jo vetëm meritë e futbollistëve!

Argjentina arriti që të mposhte Francën në finale të botërorit dhe të shpallej Kampione Bote, në një ndeshje të mbushur me emocione dhe të denjë për një skenar filmi.

Por tashmë po qarkullojnë zëra se nuk ishte vetëm magjia e Messit dhe shokëve të tij që e bënë realitet këtë sukses, pasi ka shërbyer dhe magjia e disa shtrigave argjentinase.

Nuk e besoni? Po ju japim një provë:

Magali Martinez, një anëtare e grupimit të këtyre shtrigave, ka shkruar në rrjetet sociale gjatë ndeshjes mes Argjentinës dhe Australisë: “Julian Alvarez, dua të shoh golin tënd”. 4 minuta më vonë, Alvarez realizoi për 2-0 pas një gabimi të portierit Matthew Ryan.

Pak si shumë e çuditshme për të qenë rastësi apo jo?

Argjentina e nisi tmerrësisht keq rrugëtimin në Katar, teksa humbi ndeshjen hapëse të grupit me një skuadër modeste, siç ishte Arabia Saudite. Nëse mendoni se këtu nuk ka funksionuar magjia e shtrigave e keni gabim, pasi deri në atë moment ato nuk ishin angazhuar fare për të ndihmuar ekipin.

Gjithçka nisi pikërisht pas kësaj ndeshjeje, kur Martinez vendosi të thoshte një lutje për Lionel Messin dhe kreu një ceremoni të veçantë për të zbuluar nëse gjithçka ishte e pastër. Sipas saj, doli që në atë kohë kishte një mallkim mbi yllin e futbollit.

“E kuptova që nuk mund ta shëroja vetëm”, tha Magali Martinez në një intervistë me New York Times. “Kam postuar në rrjetet sociale dhe kam kontaktuar shtrigat që njoh nga e gjithë Argjentina për ndihmë.”- shtoi ajo.

Publikimi i Martinez u ripostua nga mijëra shtriga të tjera, dhe ata krijuan grupe, ku më vonë më aktivët u bashkuan në Federatën e Shtrigave të Argjentinës. Aty ishin më shumë se 300 njerëz.

“Më dukej se do të ishin maksimumi 10 persona”, pranoi themeluesja e njërit prej këtyre grupeve dhe pronarja e një dyqani në Buenos Aires, Antonella Spadafora.

“Ne jemi të lodhur duke qenë shtriga të fshehura”, shtoi Andrea Maciel.

Pas humbjes nga Arabia Saudite, gratë u përfshinë në punë: përdornin lutje, qirinj të veçantë, dhe madje edhe djegie të sherebelës. Gjithçka me qëllim që, sipas tyre, të çlirohet skuadra nga energjia negative dhe të sjellë energji pozitive. Që nga ajo ndeshje, Argjentina nuk humbi më. Mjaftueshëm për ta besuar si teori apo jo?

“Ne jemi si agjente që kujdesen me dashuri, mbrojmë dhe dhurojmë lumturi”, tha Rocio Cabral Menna, një mësuese e shkollës së mesme nga Rosario.

“Përpara çdo ndeshjeje, unë parashikoj rezultatin, e shkruaj në një gjethe dafine dhe e djeg gjethen si pjesë e një rituali të veçantë. Lojtarët luftojnë në fushë dhe shtrigat kujdesen për ta në shtëpi”- shtoi ajo.

Por a i bënë shtrigat magji Francës për të humbur ndeshjen? Përkundrazi, ato deklarojnë se ekimi francez mbrohej nga fuqi të errëta.

“Ne nuk rekomandojmë magjepsjen e letrave me emrat e futbollistëve francezë, sepse ata mbrohen nga forca të errëta dhe energjia negative mund t’i shkëpusë. Ne pamë forca shumë të mëdha të errëta mbi ekipin. Në veçanti, mbi Kylian Mbappe”- thanë ato.