Transmetuar më 23-12-2022, 18:45

Tiranë- Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, dekreton ligjin për miratimin e marrëveshjes mes qeverisë shqiptare dhe dy kompanive të huaja për ndërtimin e një porti jahtesh dhe pallate shumëkatëshe në Portin e Durrësit, pavarësisht kërkesës së opozitës dhe shqetësimeve të ngritura nga Bashkimi Europian. Megjithatë ka dekretuar marrëveshjen mes qeverisë shqiptare dhe dy kompanive të huaja për ndërtimin e një porti jahtesh dhe pallate shumëkatëshe në Portin e Durrësit.

Dekreti i presidentit:

Presidenti dekreton ligjin për portin e Durrësit

Shpalljen e ligjit nr. 79/2022, “Për miratimin e marrëveshjes kuadër ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Eagle Hills Real Estate Development, Albanian Seaports Development Company, Sh.a. dhe Nshmi Development L.L.C për projektin e investimit strategjik “Marina & Jahtet e Durrësit””.

Dekret nr. 13886 Tiranë, më 21.12.2022 BAJRAM BEGAJ

Ligji kaloi në kuvend vetëm me votat e mazhorancës, pasi u kundërshtua nga opozita si një ndër aferat korruptive më të mëdha të vendit. Madje i dërguan presidentit dhe një kërkesë për ta kthyer në Kuvend për rishqyrtim, por duket se Begaj vendosi të kundërtën.

Ligji parashikon kalimin falas të një sipërfaqe trualli prej 812 600 m2 në favor të investitorëve. Marrëveshja është lidhur mes qeverisë shqiptare dhe kompanive Eagle Hills Real Estate Development, Albania Seaports Development Company sh.a dhe Nshmi Development L.L.C.