Transmetuar më 28-12-2022, 12:00

Bastet sportive që u shpallën të paligjshme disa vite më parë nga kryeministri Edi Rama, por që ilegalisht vazhduan, do të ligjërohen sërish brenda 3-mujorit të parë të vitit 2023.

Në këtë mënyrë qeveria bën një tjetër hap prapa nga iniciativa e saj për të zhdukur bastet dhe lojërat e tjera të fatit në Sbqipëri.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, në një konferencë shtypi për situatën ekonomike në vend, njoftoi se në fillim të 2023 pritet të miratohet në Parlament ligji për bastet online

“Ne kemi punuar intensivisht gjatë muajve të fundit në ligjin për bastet sportive, me qëllim lejimin e basteve sportive online.

Jemi në proces të finalizimit dhe gjatë vitit të ardhshëm do të fillojmë procedurat e miratimit ë të ligjit. Brenda 3-mujorit të parë të 2023, ky ligj pritet të miratohet në Parlament”, tha Ibrahimaj.

Me një vendim drastik në tetor 2018, që u përshëndet nga shumica e popullsisë, kryeministri shpalli mbylljen e lojërave të fatit duke bërë të mundur mbylljen e mijëra lokaleve që ishin bëtë gangrenë për qytetarët.

Megjithatë, u bënë hapa pas kur u lejuan lojërat e fatit në struktura të tilla si hotele me 5 yje, kurse tani, hidhet hapi tjetër, ai i basteve online.

Pritet që lokalet që shërbejnë për këtë qëllim të lulëzojnë sërish në vend, duke iu shtuar atyre ekzistuese që do të përshtaten për të ofruar edhe bastet online. /noa.al