Transmetuar më 28-12-2022, 17:46

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është shprehur se trupat e ushtrisë së Kosovës duhet të jenë vigjilentë e në gatishmëri për çdo situatë.

Komentet Osmani i bëri gjatë adresimit të saj të përvitshëm ndaj Forcave të Sigurisë së Kosovës, ku ka tërhequr vëmendjen pasi është shfaqur duke veshur një uniformë ushtarake.

Ajo tha se më shumë se kurrë, Kosovës sot i nevojitet që trupat e saj ushtarake të tregojnë devotshmëri e përkushtim ndaj atdheut.

“Viti që po lëmë pas u përcoll me sfida jo vetëm për ne, por edhe për botën. Duhet të jemi të vetëdijshëm që sfidat do të rriten krahas me përpjekjet për ta sfiduar paqen dhe rendin botëror nga regjimet autoritare hegjemoniste. Prandaj, më shumë se kurrë na duhet devotshmëri ndaj atdheut, vigjilencë e përkushtim që Republikës t’i bëhemi gardianë.

Kjo gatishmëri e juaja për ta mbrojtur vendin nga çdo rrezik na bën krenar secilin… është nder e privilegj sa herë jam në mesin tuaj. Mbi të gjitha djemtë e vajzat e forcës sonë janë të gatshëm për të mbajtur integritetin territorial e sovranitetin e shtetit tonë… Ju shquheni për përkushtimin ndaj vendit, për nivelin profesional, për disiplinë e përkushtim ndaj ndaj detyrës, për nderin ndaj vendit tuaj. Kjo na bën krenar ne si shtet”, u shpreh ajo.

Këto komente të presidentes Osmani vijnë në një kohë që tensionet Mes Kosovës dhe Serbisë kanë arritur kulmin, ku veriu i vendit vijon të mbetet e bllokuar me barrikada të vendosura nga grupet kriminale serbe.