Transmetuar më 29-12-2022, 09:11

Kosovë- Presioni i shtuar ndërkombëtar ka bërë që heqja e barrikadave në veri të Kosovës të jetë çështje orësh.

Policia e Kosovës dhe EULEX vazhdon patrullimet në pikat kufitare në Kosovë ku janë vendosur barrikadat në mënyrë që të ruajnë rendin e sigurisë për qytetarët. Ditën e sotmë nuk është shënuar asnjë incident dhe situata e sigurisë paraqitet e qetë. Barrikadat në veri, që u bënë pengesë për lirinë e lëvizjes, duket se po numërojnë orët e fundit. Kështu të paktën ka lënë të nënkuptohet presidenti serb, Aleksandër Vuçiç i cili dha një afat kohor deri të premten mbrëma se kur do të mund të hiqen.

“Për 24 orë apo 48 orë do të hiqen barrikadat”, tha ai, pas takimit me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova të mërkurën mbrëma në kazermën e Ushtrisë Serbe në Rashkë, afër kufirit me Kosovën.

Më herët Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka thënë se nëse nuk hiqen barrikadat, institucionet e Kosovës do të veprojnë për shkak se sipas saj, sa më shumë që të mbesin barrikadat aty, aq më shumë po rrezikohet jeta e qytetarëve. Këto deklarime erdhën pas ndryshimit të masës së sigurisë për ish-policin Dejan Pantiç, i cili u arrestua më 10 dhjetor si i dyshuar për terrorizëm dhe sulm ndaj institucioneve të Kosovës. Pushteti akuzoi gjyqësorin për ndryshimin e masës, ndërsa opozita fajësoi qeverinë për marrëveshje të fshehtë me Serbinë.