Transmetuar më 05-01-2023, 10:30

Me sulme vrastare, zhvatje, trafik droge, po përshkallëzohet aktiviteti i organizatave kriminale shqiptare që drejtohen nëpër burgjet greke. Rekrutime të reja dhe policë të përfshirë. Të gjithë të përmendurit në këtë investigim mohojnë kategorikisht çdo përfshirje dhe flasin për prova hakmarrëse, inekzistente

ATHINË – Pesë bandat shqiptare që dyshohet se operojnë nëpër burgje në Greqinë Qendrore dhe Jugore janë përgjegjëse, sipas zyrtarëve të lartë të policisë, për sulmet e përgjakshme që po ndodhin muajt e fundit në Athinë. Në disa prej këtyre bandave janë përfshirë edhe oficerë policie.

Ndër 15 sulme kriminale të ndodhura periudhën e fundit, pjesa më e madhe kanë pasur si objektiv kryesor kontrollin e trafikut të kokainës dhe heroinës në zona të ndryshme të kryeqytetit. Objektiva të tjerë kanë qenë dhe dhe të ardhurat nga shtëpitë publike, klubet e natës, por edhe bar-kafenetë, raporton noa.al.

Si u rrit krimi shqiptar në Greqi?

Vrasja e dyfishtë e dy shqiptarëve, pak ditë më parë, në një dyqan plot me njerëz në Smyrna e Re në Athinë, konsiderohet si një shembull i ri i qartë i rritjes, zgjerimit dhe demonstrimit të fuqisë së mafias shqiptare në vendin fqinjë.

Investigimi i mediave qendrore greke duke cituar hetimet e deritanishme, sugjerojnë se ka një rritje të kostove për ata që po quhen përmbarues të kriminelëve shqiptarë.

Po rekrutohen gjithnjë e më shumë njerëz të rinj, me pagesë më të lartë, për larje hesapesh dhe gjobëvënie.

Në këtë vorbull, policia greke po heton lidhje të mundshme të sulmit fatal në Nea Smyrni, me vrasjen, në maj 2021, të një krimineli shqiptar 32-vjeçar në një kafene në Sepolia. Ata vlerësojnë se ndoshta është i njëjti autor.

Për më tepër, ka prova të qarta se shumë nga sulmet e tanishme kriminale vijnë nga kriminelët shqiptarë – shumica e të cilëve janë burgosur tashmë.

Por ata rezultojnë të lidhur me një bandë të madhe shqiptare qendrore që ka vepruar sidomos nga 2004-2008 në qendër të Athinës dhe gjetkë dhe konsiderohet përgjegjës për 11 vrasje.

Oficerët e policisë, madje kanë gjetur “video” të mafiozëve shqiptarë në Athinë duke demonstruar kallashnikovë, përplasje me policët specialë grekë, ndërsa disa prej tyre shfaqen si truproja të këngëtarëve të rinj të huaj të muzikës rap. Madje në një nga këto “videoklipe” ata kërcënojnë policët duke thënë se “e dinë se ku jetojnë”.

"Lumë" gjaku

Ky përshkallëzim i aktivitetit të mafias shqiptare në vendin grek është shënuar në të njëjtën kohë që janë hartuar raportet e Europolit.

Sipas tyre, janë aktive 15 organizata kriminale qendrore të Shqipërisë që kanë madje “degët” e tyre, të cilat kanë lidhje me trafikun e kokainës dhe se ky aktivitet lidhet me shumicën e vrasjeve në Greqi.

Ky rrjet ndërkombëtar kriminal shqiptar rezulton i lidhur edhe me Draghettën dhe Kamorrën në Itali, si dhe me rrjete kriminale në Kolumbi, Marok, Santo Domingo, Spanjë dhe gjetkë.

Përveç kësaj, në trafikun e heroinës ata kanë kontakte me mafian italiane të Pulias.

Në Greqi, është arritur nga policia greke që të hartohet një listë me grupet kriminale, drejtuesit e tyre dhe aktiviteti ku dominojnë.

Grupi i parë që tërhoqi vëmendjen e Autoriteteve greke të Sigurisë është një organizatë e madhe kriminale që fillimisht operoi në periudhën 2005-2008 në Agios Panteleimonas, Colonos, Metaxourgeio e gjetkë, duke shkaktuar gjakderdhje të vazhdueshme në kryeqytetin grek.

45-vjeçari shqiptar Klodian L., ish-bashkëpunëtor i një krimineli të vrarë grek, i ndaluar në burgjet e Korydallos dhe në Kretë, është konsideruar si figura kryesore e grupit të mësipërm.

Klodian L. akuzohet nga policia se ka drejtuar nëpër burgje një grup20 anëtarësh shqiptarë, të cilët lidhen me një sulm të përgjakshëm në Mikrolimanos në vitin 2014 që precipitoi me vrasjen e një 44-vjeçari në Metaxourgeio dhe me sulmin e përgjakshëm ndaj një avokati në Penteli në të njëjtën periudhë.

Klodian L., i mohon të gjitha akuzat.

Shantazh

Ashtu si me vrasjen e avokatit Michalis Zafeiropoulos në 2017 në Kolonaki, edhe tre sulme të tjera kriminale ndaj bashkëqytetarëve në burgje, si dhe me grabitje të përgjakshme në qendër të Athinës.

Me veprimtarinë e së njëjtës bandë disa vite më parë është marrë edhe Shërbimi Antiterror, i cili regjistroi përfshirjen e saj në zhvatjen e ish-ministrit dhe avokatit të ndjerë Dimitris Tsovolas, në grabitje dhe trafik droge, etj.

Pra, të njëjtët të burgosur kriminelë shqiptarë u lidhën me një sulm vrasës më 31 korrik 2022, ku pati një viktimë rome 39-vjeçare, e cila u qëllua për vdekje në rrugën Stratigou Makrygianni në Agia Varvara.

Krimi në fjalë i atribuohej trafikut të drogës në pritje dhe krimineli nga Shqipëria, i akuzuar për shantazhimin e Dimitris Tsovolës disa vite më parë, ishte arrestuar si autor.

Oficerët e policisë greke nuk përjashtojnë mundësinë që pas sulmeve të njëpasnjëshme që ndodhën në qendër të Athinës ndaj 32-vjeçarit Aristid P., fshihet e njëjta bandë. Ai vdiq nga një sulm i ngjashëm me atë në Nea Smyrni, në maj 2021, në një kafene në Sepolia.

32-vjeçari ka qenë ish-anëtar i bandës së lartpërmendur të Agios Panteleimon, i cili sipas hetimeve, është përfshirë edhe në aktivitete të ndryshme kriminale dhe dyshohet se është përplasur me ish-bashkëpunëtorët e tij.

"Kontratat e vdekjes"

Policia greke tani po ripërqendron vëmendjen në arrestimin, në mars 2019, të dy shqiptarëve (shënim: disa nga bashkëpunëtorët e tyre mbetën të pa kapur) në Korinti. Këta u konsideruan si autorë të disa prej atentateve kundër Aristid P.

Ende ka pikëpyetje nëse ndonjë nga ky grup mund të lidhet me sulmet e përgjakshme në Sepolia ku humbi jetën përfundimisht “objektivi” i tyre i vazhdueshëm 32-vjeçar, por edhe atë të fundit në Nea Smyrni.

Ka ende një interes kërkimor të policisë greke për dy-tre të huaj nga Shqipëria që konsiderohen të kontraktuar në vendin fqinjë, Greqi, për të ekzekutuar “kontratat e vdekjes” dhe më pas për t’u kthyer në vendlindje.

Po ashtu, në fokus është edhe një kriminel shqiptar, i cili konsiderohet si një nga dhënësit kryesorë të urdhrave për vrasje jo vetëm për mafian shqiptare, por edhe për atë greke.

Një indicie për këtë pistë të policisë vjen nga vrasja gjakftohtë në Nea Smyrni dhe bazohet tek hetimi që u krye pak muaj më parë nga Prokuroria e Atikës në qelitë e Klodian L. si dhe kriminelëve të tjerë shqiptarë në burgjet e Kretës për të gjetur prova të mundshme.

Të ardhura marramendëse

Nga investigimi grek për krimin e organizuar është përcaktuar se ekzistojnë:

Rreth 2500 anëtarë të grupeve kriminale.

300 milionë euro nga të ardhurat e veprave penale, këto, vetëm nga rastet e hetuara nga EL.AS. (policia greke).

10-15% e aktivitetit kriminal lidhet me veprimtarinë e bandave thjesht shqiptare.

Importet masive të kokainës në Greqi, që kalojnë 10-15 tonë në vit, kapin vlerën e më shumë se 500 milionë euro.

26% përfshirja e bandave shqiptare në trafikun e heroinës,

31% në trafikun e hashashit.

Lufta civile kriminale

EL.AS. po shqyrton nëse pas “luftës civile” të mafies shqiptare mund të fshihet një grup qendror banditësh që ka marrë emrin e një klubi nate në Athinë.

Sipas disa të dhënave nga hetimi i policisë, një personazh drejtues mund të jetë një kriminel i njohur shqiptar, i burgosur në Greqinë Qendrore, i cili ishte akuzuar për “kontrata vdekjeje” dhe arratisje (ai mohon që tani është përfshirë në veprimtari të paligjshme).

Në të njëjtin grup, sipas të njëjtave vlerësime të organeve të sigurisë, është dhe një tjetër shqiptar i akuzuar për vrasje të mbetur në tentativë (dhe kundër punonjësve të policisë në një përleshje të përgjakshme), grabitje të armatosura, trafik droge, posedim të dalluar të armëve dhe municioneve luftarake, si dhe arratisje nga burgjet.

Ngarkesa me kokainë

Ky shqiptar u arrestua edhe për një ngarkesë të madhe kokaine në Greqinë Qendrore. Ai duket se ka pasur kontakte – sipas një raporti të brendshëm të organeve të sigurisë – me zyrtarë të EL.AS. dhe individë nga Kreta.

Sipas të njëjtave dokumente të brendshme, ai e ndërpreu veprimtarinë e tij kur disa nga anëtarët e tij u arrestuan për krime të tjera.

Më tej, sipas të njëjtave përllogaritje të policisë, është edhe krimineli shqiptar 37-vjeçar F.D., i dënuar me burgim të përjetshëm për grabitje vrastare në Athinë, si dhe për vrasje në Selanik me viktimë një bashkatdhetar 25-vjeçar.

Sipas hetuesve ai është në kontakt me të njëjtët kriminelë dhe shihet si i implikuar në plagosjen e një personi të përfshirë në një rast të trafikimit të qenieve njerëzore në kryeqytetin grek.

F. D. ishte konstatuar se kishte një kanal komunikimi me disa persona të rëndësishëm, në planin e madh të arratisjes nga burgjet e Korydallos, në vitin 2015, plan i njohur si “Gorgopotamos”.

Makina me lëndë plasëse

Së fundi, në të njëjtin hetim, policia po heton marrëdhëniet e të lartpërmendurit me një 46-vjeçar shqiptar me pseudonimin “Takis”, i cili u akuzua për vrasjen e bashkatdhetarit të tij në një lokal në Glyfada (më pas u shpall i pafajshëm për shkak të informacionit të pasaktë). Megjithatë, ai përballet me një akuzë të re për organizimin e vrasjes, në vitin 2014, të bashkatdhetarëve të tij me një makinë Smart, ku ishte montuar eksploziv që shpërtheu në Attiki Odos. “Takis”, i cili gjithashtu mohon çdo përfshirje në shpërthimin e mjetit, mësohet se është arratisur në një vend evropian.

Policia ka përqendruar vëmendjen edhe te një tjetër kriminel shqiptar me inicialet K. D., i cili gjithashtu ishte i përfshirë në bandën e lartpërmendur të “gjaktarëve” të Agios Panteleimon dhe që disa javë më parë ka shkelur një leje të përkohshme nga një burg në Greqinë Qendrore.

K. D., i cili ishte akuzuar si për vrasjen e ish-bashkëpunëtorit të tij, ashtu si dhe për një çështje droge, dyshohet se ka pasur një rivalitet të mëhershëm me Aristid P. të vrarë në Sepolia dhe gjithashtu me ish-bashkëpunëtorët e tij. Madje, autoritetet e sigurisë kishin regjistruar më parë aktivitetin e një shqiptari që kishte tentuar të arratisej në mars të vitit 2013 nga burgjet e Trikalas, në projektin e njohur të përgjakshëm të mafies shqiptare që çoi në ndjekjen vrastare të të arratisurve në Greqinë Qendrore dhe Veriore. /noa.al