Transmetuar më 05-01-2023, 22:52

Artan Kërluku është personi që mbajti me vite audio regjistrimin e rrallë të takimit mes Azem Hajdarit, Sali Berishës, Edi Ramës dhe Sali Shijakut në 4 Janar të vitit 1991.

Kërluku ka folur për emisionin “Opinion” ku ka treguar se ka zotëruar prej gati 30 vjetësh kasetën me regjistrimin dhe falë teknologjisë e kthye nga formati analog në atë digjital në mënyrë që të mos dëmtohej më tepër.

Ai ka folur për piktorin Ramadan Karanxha, për të cilin i shpreh se regjistronte miqtë dhe njerëz të ndryshëm në sallonin e tij artistik për të mbajtur gjallë momentet e jetës.

Zbulohet biseda misterioze Rama-Berisha-Hajdari më 4 janar 1991: Luftë për pushtet është, bjeruni nëse… "Unë kam gati 30 vjet që e kam në shtëpi këtë regjistrim, është pjesë e shumë regjistrimeve të tjera, orë e orë që janë bërë në studion e Ramadan Karanxhës. Meqënëse në disa prej tyre, mos të them të gjitha, ishte normale që një kopje të kasetave ta kisha dhe unë. Më vonë pastaj, pas shumë vitesh u bë e mundur, konvertova nga format analogjik në format digjital në mënyrë që të evitoja prishjen e mëtejshme të këtyre kasetave.

Studio e Ramadan Karanxhës që ndodhej në kryqëzimin e rrugës “Mine Peza” me rrugën “Fortuzi” ishte një pikë takimi artistësh, më shumë si një sallon artistik ku vinin muzikantë, piktorë, shkrimtarë etj etj. Unë kam pasur fatin e madh për një 20 vjeçar siç isha unë atëherë, të takoja shumë njerëz të shquar. Nga Dritëroi i madh tek ajka e piktorëve të asaj kohe, Sali Shijaku, Zef Shoshi etj etj. Por edhe studentë të cilët më vonë u bënë të njohur si Edi Rama apo Ornela Vorpsi.

Dy nga pjesëmarrësit në këtë takim, Edi Rama dhe Sali Shijaku ishin frekuentues të këtij salloni.Dhe me shumë mundësi njëri prej tyre ishte ideator i mbledhjes në studion e Karanxhës.

Karanxha ishte një personazh atipik për atë kohë. Kishte një entuziazëm prej adoleshenti, këtë regjistrator sapo e kishte marrë, nuk kishte shumë kohë. Argëtohej duke regjistruar njerëz të ndryshëm për të fiksuar momente të jetës, tek e fundit siç bëjmë ne tani duke mbushur hard-disqet e celularët me foto e video. Regjistronte pafundësisht, miqtë, të afërmit dhe besoj ka qenë e natyrshme regjistrimi i këtyre protagonistëve të këtij takimi në vazhdën e regjistrimeve të tjera, aq më tepër mendoj unë duke parandjerë rëndësinë e këtij takimi.