Transmetuar më 07-01-2023, 10:07

Tiranë- Provimet e maturës do të vijnë me risi për këtë vit. Ashtu siç pati premtuar, Ministria e Arsimit bëri publik fondin e pyetjeve, mbi të cilat do të hartohet testi final për pranimin në Mjekësi të Përgjithshme, një projekt pilot që starton këtë vit dhe parashikohet të shtrihet më tej duke rikthyer konkurset e mëparshme. Janë plot 3130 pyetje të njëzet tematikave të ndryshme nga tri lëndë: Fizikë, Kimi dhe Biologji.

Siç ndodh edhe në provime të tjera të organizuara nga Qendra e Shërbimeve Arsimore, nga ky fond pyetjesh, në mënyrë rastësore, kompjuteri do të përzgjedhë tezën finale, e cila ka 30% të peshës në vlerësimin për pranimin në degën e Mjekësisë së Përgjithshme, prej vitesh më e kërkuara nga maturantët, por edhe më e vështira.

Rikthimi i konkursit për pranimet në Universitetin e Mjekësisë ka qenë një kërkesë e rektorit, pasi vërente që maturantët vinin me dhjeta fiktive. Ekselentët zbrisnin tek 4-a ose 5 që në vitin e parë.

Lidhjet kimike, acidet, fizika kuantike, elektrostatika e tema nga më të larmishmet, të marra nga tri lëndë të ndryshme, janë përzgjedhur për të pyetur maturantët në testin e pranimit. Pjesën më të madhe e përbëjnë pyetje nga sistemet e diversiteti. Një mori e gjerë njohurish e dijesh të marra në tre vite, që do të duhet t’i zgjidhin brenda këtyre muajve siç duhet (nuk disponohet çelësi i përgjigjeve, vetëm pyetjet) për të marrë 30%-shin e pikëve që duhet për të bërë diferencën me maturantët e tjerë që vijnë me dhjeta absolute nga gjimnazi e provimet e fundit të maturës shtetërore. Kjo peshë e vogël do të jetë vetëm për këtë vit, sipas ministres në një nga deklaratat e saj, ku ka lënë të nënkuptohet se mund të ndryshojë në një bisedë me maturantët.

“Kemi menduar t’i japim 30% peshë në vlerësim. Pra, 70% do të jetë nga notat e tre viteve dhe provimeve të maturës, sipas formulës që është sot në fuqi, ndërsa 30% do ta ketë provimi i automatizuar.

Kishim një diskutim në fillim edhe që të ishte 50 me 50, por pastaj menduam që meqë është viti i parë, po pilotohet si metodologji, kështu që menduam që fillimisht të jetë pesha 30%, pastaj përsëri bashkërisht do ta diskutojmë dhe do ta vendosim nëse do të vazhdojë përsëri kështu apo duhet të ndryshojë”. Fondi i pyetjeve tashmë është gati dhe gjendet lehtësisht në faqen e Qendrës së Shërbimeve Arsimore.

Nuk ka ende një datë për provimin, por me gjasë do të jetë në muajin qershor. Gjatë kësaj kohe maturantët do të kenë mundësi që t’i shohin, t’i konsultojnë, t’i referohen në mënyrë që të përgatiten sa më mirë.