Transmetuar më 07-01-2023, 18:54

SUDAN- Ka ndodhur në Sudan. Gjashtë gazetarë janë arrestuar dje pas publikimit të pamjeve kur duket se presidenti Sudanit të Jugut, Salva Kiir kishte lagur veten duke urinuar, njoftonin grupet e mediave. Pamjet u shpërndanë gjerësisht muajin e kaluar dhe tregojnë një njollë të errët që përhapet poshtë pantallonave të Presidentit Salva Kiir dhe një copëz të lagur që formohet në dysheme ndërsa ai qëndron për himnin kombëtar.

Patrick Oyet, president i sindikatës së gazetarëve tha për agjencinë Reuters se gazetarët u arrestuan sepse “dyshohet se kishin njohuri për videon e publikuar të presidentit të urinonte në pantallona”. Pamjet e filmuara gjatë një eventi zyrtar tregojnë presidentin Salva Kiir duke qëndruar në këmbë për himnin kombëtar, fillimisht pa e kuptuar se urina i binte duke lagur pantallonat e duke formuar një pellg në këmbët e tij. Kamera më pas largon pamjen prej tij teksa të tjerë zyrtarë kuptojnë atë që po ndodh.

Video u shpërnda gjerësisht muajin e kaluar duke ngritur dyshime për aftësinë e 71-vjeçarit për të drejtuar vendin e përfshirë nga konflikti, uria e kriza ekonomike. Por nisi gjithashtu debatin e etikës për postimin e pamjeve në rrjetet sociale dhe mungesën e respektit për liderin. Ndërsa ministri vendas i informacionit Michael Makuei tha sot për Zërin e Amerikës se njerëzit duhet të presin ende për të mësuar akuzat e arrestimit të gazetarëve.

Ligji në Sudanin e Jugut thotë se njerëzit duhet të mbahen në paraburgim për një maksimum 24 orë përpara se të shohin një gjykatës.

Kiir, 71 vjeç, ka qenë lider që kur vendi fitoi pavarësinë nga Sudani në vitin 2011, por OKB-ja thotë se dhuna dhe pasiguria ende mundojnë vendin. Nuk ka pasur zgjedhje presidenciale që kur ai erdhi në pushtet, dhe një e planifikuar së fundmi u shty përsëri për në vitin 2024.