Transmetuar më 09-01-2023, 14:16

Në presidencë u zhvillua sot ceremonia e betimit të anëtares së Gjykatës Kushtetuese Marjana Semini. Pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të vendimit përkatës të emërimit të saj, Gjyqtarja Marjana Semini me dorën mbi Kushtetutën e Shqipërisë u betua para Presidentit të Republikës se: “Betohem se gjatë kryerjes së detyrave të mia do t’i qëndroj kurdoherë besnike Kushtetutës së Republikës të Shqipërisë”.

Presidenti Bajram Begaj i uroi suksese Seminit në detyrën e re të anëtares së Gjykatës Kushtetuese.

Në ceremoninë solemne të betimit ishin të pranishëm Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha, kryetarja e Komisionit të Ligjeve në Kuvendin e Shqipërisë, Klotilda Ferhati Bushka, përfaqësues të Delegacionit të BE-së si dhe OPDAT si dhe anëtarë të Kabinetit të Presidentit të Republikës.