Transmetuar më 19-01-2023, 07:26

Vijon Shqipëria me vranësira dhe shira me intensitet të lartë në ultësirën perëndimore duke krijuar probleme të mëtejshme ndërsa në zonat malore verilindore dhe juglindore do të ketë reshje të dendura dëbore.

Orët e mesditës sjellin një ndërprerje të përkohshme të reshjeve për të ri-nisur sërish gjatë pasdites ku do të ketë edhe rrebeshe shiu shoqëruar me rrufe dhe shkarkesa elektrike. Situata e paqëndrueshme atmosferike mbetet prezente edhe gjatë natës.

Temperaturat e ajrit do të pësojnë rënie me 1 – 2 gradë, në mëngjes dhe në mesditë duke luhatur vlerat ditore nga 2°C deri në 15°C.

Era do të fryjë mesatare deri e fortë duke arritur shpejtësinë maksimale 55 km/h nga drejtimi Jugperëndimor, për pasojë në brigjet e Adriatikut dhe Jonit do të krijohet dallgëzim deri në 5 ballë.

Kosova

Republika e Kosovës, paraqitet me vranësira dhe rrebeshe shiu ku herë pas here shoqërohen me stuhi të forta ere.

Në zona të thella malore vijojnë reshjet e dendura të dëborës.

Parashikohet që pasditja dhe mbrëmja të shtojnë me tej vranësirat duke gjeneruar reshje shiu e dëbore me intensitet mesatar deri të lartë në zona të veçanta, kryesisht në jugperëndim të Kosovës.

Maqedonia e Veriut

Kushtet e paqëndrueshme atmosferike karakterizojnë motin edhe në MV ku vranësirat dhe shirat do të jenë dominante.

Më problematike situata paraqitet gjate orëve të pasdites pasi shirat do të jenë me intensitet të larte. Herë pas here do të ketë rrebeshe dhe stuhi të forta ere.

Parashikohet që gjatë orëve të vona të natës të fillojnë gradualisht edhe reshjet e dëborës, si pasojë e ndryshimit të masave ajrore të cilat do të vijnë nga veriu i Evropës.

Rajoni dhe Evropa

Zhvillimi i një qendre të fuqishme ciklonare në veriperëndim të kontinentit POR me ndikim deri në veri të Italisë do të sjellë reshje intensive si edhe stuhi të forta ere në: ishujt britanikë, Evropën qendrore, zonën e alpeve deri në Italinë qendrore.

Po ashtu, si pasojë e masave të ftohta me origjinë polare gadishulli i Ballkanit do të përjetojë reshje të konsiderueshme dëbore dhe temperatura shumë të ulëta. Moti i kthjellët dhe vranësira të shpeshta do të jenë dominante në Evropën jugperëndimore dhe brigjet e Egjeut.