Transmetuar më 21-01-2023, 16:51

SHBA- Dashuria nuk njeh moshë! Astronauti legjendar amerikan Buzz Aldrin, anëtar i ekuipazhit të misionit "Apollo 11" dhe njeriu i dytë që eci në Hënë, njoftoi sot se u martua me partneren e tij prej shumë vitesh, në ditëlindjen e tij të 93-të. Aldrin dhe Anka Fore, zyrtarizuan bashkimin e tyre në një ceremoni private.

"Në ditëlindjen time të 93-të (…) jam i lumtur të njoftoj se e dashura ime prej kohësh, Dr. Anka Fore, dhe unë u martuam dhe jemi të emocionuar si adoleshentë,"- shkroi astronauti në Twitter, duke postuar një foto të tij dhe Fore, e cila është 63 vjeç.

POSTIMI I PLOTË:

Sipas të dhënave në profilin e saj në LinkedIn, Anka Fore ka një doktoraturë në inxhinieri kimike në 1996 nga Universiteti i Pittsburgh. Para se të bashkohej me Buzz Aldrin Ventures, ajo punoi në kompanitë kimike Union Carbide dhe Johnson Matthey. Tre martesat e mëparshme të Buzz Aldrin përfunduan me divorc.

Astronauti amerikan është i mbijetuari i fundit i misionit Apollo 11, gjatë të cilit ai dhe Neil Armstrong u bënë njerëzit e parë që ecën në Hënë më 20 korrik 1969. Një krater në Hënë, i vendosur afër vendit ku u ul misioni Apollo 11, mban emrin e tij.