Transmetuar më 22-01-2023, 19:52

Athinë- Alarm për bombë në një avion në Greqi.

Një avion Boeing 738 i kompanisë ajrore Ryanair, ka bërë ulje emergjente në aeroportin ndërkombëtar të Athinës Eleftherios Venizelos pas një njoftimi se në bordin e tij ndodhej një bombë.

Avioni me 192 persona, 184 pasagjerë, dy foshnja dhe një ekuipazh prej 6 personash u ul i shoqëruar nga një skuadrilje me avionët ushtarakë grekë F-16 grekë, në një pjesë të largët të aeroportit për arsye sigurie.

Avioni që u nis nga Katovica e Polonisë, me destinacion Athinën, u lajmëruar gjatë fluturimit se kompania e tij kishte marrë një e-mail kërcënues që njoftonte për vendosjen e një bombe në bordin e tij.

Kompania informoi NATO-n dhe avioni u shoqërua në fillim nga avionët luftarakë hungarezë për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme, ndërsa siç parashikonte protokolli, më pas fluturoi mbi hapësirën detare.

Më pas, sapo është aktivizuar kodi «Renegade» i parashikuar në këto raste, i shoqëruar mbi Shkup nga dy avionë luftarakë grekë u ul në orën 17:40 në një zonë të veçantë të aeroportit ku kanë mbërritur forca të shumta policore, brigadat zjarrfikëse dhe një departament special i xhenierëve me qentë për të kontrolluar plotësisht avionin.

Fillimisht u kontrolluan të gjithë pasagjerët që kanë zbritur nga avioni një nga një dhe pa valixhet e tyre dhe më pas të gjitha pjesët e tjera si dhe vendi i bagazheve. Përfundimisht asgjë e dyshimtë nuk është gjetur dhe organet greke kanë njoftuar se e-maili kërcënues ishte veçse një farsë.

Hera e fundit që protokolli «Renegade» u aktivizua në Greqi, ndodhi para 17 vitesh me tragjedinë e avionit të kompanisë qipriote Helios, që u rrëzua në Grammatiko dhe shkaktoi vdekjen e 121 personave.